Refluksi tek foshnjat dhe trajtimi i tij

Refluksi tek foshnjat dhe trajtimi i tij

Refluksi tek të porsalindurit ndodh kur ushqimi ngjitet nga stomaku në ezofag. Ky veprim bën që foshnjat të nxjerrin ushqimin nga goja.

Refluksi tek të porsalindurit ndodh kur ushqimi ngjitet nga stomaku në ezofag. Ky veprim bën që foshnjat të nxjerrin ushqimin nga goja.

I njohur shpesh si refluks gastroezofageal, ky fenomen bëhët gjithnjë e më i rrallë teksa fëmijët rriten. Zakonisht, një foshnjë mund të përjetojë refluks disa herë në ditë, por për aq kohë sa ajo është e shëndetshme, ky fenomen nuk duhet t’ju shqetësojë.
Shumë prindër kalojnë në këtë fazë, pasi kjo patologji prek gjysmën e bebeve, qofshin ata të ushqyer me qumësht gjiri, apo qumësht formule. Refluksi zakonisht fillon para javës së tetë të jetës.

Për prindërit, mund të jetë shqetësues fakti që i vogli nxjerr qumështin jashtë, pasi ai mund të qajë dhe njëkohësisht lind shqetësimi nëse ai po ushqehet si duhet.

Çfarë e shkakton refluksin?

Refluksi ndodh për shkak të moshës së vogël të fëmijës dhe fazës së tij të zhvillimit. Tubi i tij i ushqimit (ezofagu) lidh gojën me stomakun. Aty ku tubi i ushqimit bashkohet me stomakun, ka një valvulë, që hapet për të lënë qumështin të kalojë në stomak dhe mbyllet për ta mbajtur atë poshtë.
Kur fëmija është vetëm disa javësh, tubi i tij i ushqimit është i shkurtër dhe i ngushtë. Valvula në hyrje të stomakut nuk është ende e fortë dhe rri pak lart diafragmës. Prandaj valvula mund të hapet lehtësisht.

Kur stomaku i foshnjës është plot, qumështi dhe lëngjet acide mund të kthehen në tubin e tij të ushqimit, duke i shkaktuar shqetësim. Me siguri do të vini re kur kjo ndodh, por nganjëherë fëmija mund të gëlltisë qumështin sërish.
Prindërit duhet të kenë parasysh, se stomaku i fëmijës është ende i vogël, kështu që mund të mos jetë në gjendje të mbajë shumë qumësht apo ushqim menjëherë. Përveç kësaj, të gjithë foshnjat qëndrojnë shtrirë në pjesën më të madhe të kohës, gjë që e bën më të lehtë kthimin e qumështit nga stomaku në ezofag.
Teksa fëmija rritet, muskujt që kontrollojnë valvulën forcohen, tubi i ushqimit zgjatet më shumë dhe stomaku i tij rritet. Pjesa më e madhe e foshnjave nuk kanë më refluks, pas vitit të parë të jetës.

Cilat janë simptomat e refluksit dhe si mund ta trajtoni?

Një foshnjë që vuan nga refluksi mund:

  • të nxjerrë sasi të vogla qumështi, ose herë pas here të vjellë pasi ka ngrënë ushqim;
  • të ketë kollë, menjëherë ose pak pasi ka ngrënë;
  • të ketë frymëmarrje të shpeshtë pas ushqimit të tepërt me qumësht.

Për të lehtësuar simptomat mjekët rekomandojnë:

  • Provoni t’i jepni foshnjës suaj sasi  më të vogla, por më të shpeshta me qumësht ose ushqim.
  • Ushqejeni atë në një pozicion të drejtë.
  • Mbajeni fëmijën në pozicion vertikal, për rreth 20 minuta pas çdo ushqimi.
  • Nëse e ushqeni me biberon, tregoni kujdes që ta godisni lehtësisht me pëllëmbë në kurriz, çdo dy minuta ose tre minuta dhe sigurohuni që hapësira në kokën e biberonit ku kalon ushqimi nuk është shumë e madhe, sepse kjo do të thotë që foshnja merr shumë sasi qumështi apo ushqimi në një kohë të shkurtër.

Kur duhet të shqetësoheni nëse foshnja ka refluks?


Flisni me pediatrin ose mjekun tuaj të familjes, nëse foshnja fillon të ketë refluks, pas moshës gjashtë muajsh ose vazhdon ta ketë pasi të jetë një vjeç. Kryeni menjëherë vizita nëse shikoni një nga simptomat e mëposhtme:

  • Foshnja nxjerr vazhdimisht ushqim pasi ushqehet dhe ka të vjella në sasi të konsiderueshme;
  • Kollitet shumë gjatë kohës që ushqehet;
  • Ngjyra e sekrecioneve që nxjerr nga goja janë të verdha, jeshile ose me gjak;
  • Ka gjak në jashtëqitje;
  • Fillon të refuzojë ushqimin;
  • Ka një bark më të fryrë se zakonisht;
  • Nuk po shton në peshë;
  • Ka diskomfort gjatë gjithë kohës që e ushqeni.

Refluksi i zakonshëm nuk duhet të shkaktojë këto simptoma, prandaj në këtë rast gjendja mund të jetë më serioze. Simptomat e lartpërmendura mund të vijnë si pasojë e :

GERD(Gastroesophageal Reflux Disease) -në stomakun e foshnjës ka acid të mjaftueshëm, për të irrituar dhe dëmtuar ezofagun.

Stenoza pilorike – një valvulë midis stomakut dhe zorrës së hollë është ngushtuar, duke parandaluar zbrazjen e përmbajtjes së stomakut në zorrë.

Intoleranca ushqimore – një proteinë e qumështit, e njohur si laktoza është shkaku më i zakonshëm.

Ezofagiti eozinofilik -një lloj i caktuar i qelizave të bardha të gjakut (eozinofili) krijohet dhe dëmton ezofagun.

Cila është zgjidhja në këtë rast?

  • Ndërrimi i produkteve ushqimore
    Nëse jeni duke ushqyer foshnjën me qumësht formule, mund të pyesni mjekun ose farmacistin, për këshilla në lidhje me përdorimin e një formule më të trashë, e cila mund të jetë më e lehtë për foshnjën, për t’u mbajtur në stomak.
  • Ndërprerja e qumështit të lopës

Ndonjëherë, simptomat e alergjisë ndaj proteinave të qumështit të lopës (CPMA) mund të jenë të ngjashme me simptomat e refluksit, veçanërisht në foshnjat nën moshën gjashtë muajsh.

CMPA është më e zakonshme tek foshnjat me ushqim me formulë, sesa foshnjat me gji. Nëse foshnja juaj ushqehet me qumësht formule, pyesni mjekun ose farmacistin, nëse ju këshillojnë t’i jepni një formulë hipoalergenike për dy javë, për të parë nëse ju ndihmon. Nëse ushqeni fëmijën me gji, konsultohuni me mjekun tuaj për ndërprerjen në dietën tuaj,të qumështit dhe produkteve të tij, në mënyrë që ata të mos kalojnë në qumështin tuaj të gjirit.

  • Provoni anti-acide për fëmijë

Ju mund të pyesni mjekun për t’i dhënë fëmijës tuaj një antacid. Antacidet ndihmojnë në neutralizimin e acidit në stomakun e fëmijës suaj, në mënyrë që nxjerrja jashtë e ushqimit mos jetë e dhimbshme dhe shumë e shpeshtë.

Nëse jeni duke e ushqyer me qumështin e gjirit, mund t’i jepni foshnjës antacid të përzier me ujë të zier dhe të ftohur, pas ushqimit, me ndihmën e lugës ose shishes.

Trajtimi duhet të vazhdohet për të paktën dy javë dhe të vërehet nëse refluksi i fëmijës tuaj po largohet. Nëse foshnja ka akoma probleme pas dy muajsh, ndërkohë që merr një antacid, rikonsultohuni me mjekun tuaj.

  • Provoni një bllokues të acidit në stomak

Nëse antacidet nuk ndihmojnë, mund të pyesni mjekun tuaj për trajtimin me një medikament tjetër për urth dhe tretje, ose një frenues të pompës protonike (PPI), të tilla si omeprazoli. Këto medikamente zvogëlojnë sasinë e acidit, që stomaku i fëmijës prodhon, duke bllokuar veprimet e qelizave që prodhojnë acid.

Gjithsesi duhet të keni parasysh se mjeku do t’i përshkruajë këto preparate, vetëm nëse foshnja ka të lënduar traktin ushqimor, nga sasia e acidit që prodhohet në stomak. Ata nuk janë të përshtatshëm nëse fëmija juaj ka refluks të thjeshtë, pasi mund të shkaktojnë kapsllëk tek fëmijët.