Çdo gjë që duhet të dini rreth rënies së flokëve

Çdo gjë që duhet të dini rreth rënies së flokëve

Flokët rriten kudo në lëkurën e njeriut, përveç se në pëllëmbët e duarve dhe thembrat e  këmbëve. Ato përbëhen nga një proteinë e quajtur keratin, që prodhohet në folikujt e flokëve, në shtresën e jashtme të lëkurës.
Mesatarisht një i rritur ka rreth 100,000 deri 150,000 fije floku dhe humbet deri në 100 prej tyre në ditë, prandaj gjetja e disa fijeve të humbura në furçën e flokëve tuaj, nuk është domosdoshmërisht alarmante.

Arsyet për humbjen e flokëve janë të shumta. Kur rënia e flokëve fillon papritur, shkaku mund të jetë një sëmundje shëndetësore, dieta jo e balancuar ushqimore, medikamentet e përdorura së fundmi, apo dhe ndryshimet hormonale sidomos pas lindjes. Nëse humbja e flokëve është graduale dhe bëhet më e dukshme me secilin vit që kalon, një person mund të ketë humbje të trashëgueshme të flokëve. Disa praktika të kujdesit për flokët, gjithashtu mund të shkaktojnë humbje të dukshme të flokëve.

Më poshtë po ju përshkruajmë disa shkaqe të rënies së flokëve:

1.Gjenetika (e quajtur edhe alopecia androgjenike):

Ky është shkaku më i zakonshëm i humbjes së flokëve dhe prek si meshkujt ashtu edhe femrat. Kur meshkujt kanë humbje të trashëgueshme të flokëve, fillimisht bëhet e dukshme një vijë flokësh në rënie, ndërkohë që një pjesë tjetër shikojnë mungesa më të theksuara të flokëve në formë hapsirash të rrumbullakëta, veçanërisht në pjesën e sipërme të kokës. Femrat nga ana tjetër, nuk kanë tendencë për shenja të tilla të humbjes së flokëve, të paktën jo me të njejtën shpejtësi si meshkujt. Fillimisht tek to vihet re hollim i fijes së flokut, më pas rrallim i flokëve në zonat e përparme të skalpit dhe më rrallë mund të shfaqen rënie të dukshme në pjesën e sipërme të skalpit.


2.Sëmundjet shëndetësore

Humbja e flokëve mund të jetë shenja e parë e një sëmundjeje. Rreth 30 lloje sëmundjesh, përfshirë atë të tiroides dhe anemisë, shkaktojnë humbje të flokëve. Duke trajtuar sëmundjen, humbja e flokëve shpesh mund të ndalet. Nga ana tjetër, një rënie e konsiderueshme e flokëve mund të ndodhë pas një sëmundjeje që keni kaluar. Një ndërhyrje kirurgjikale, ethe e lartë, infeksion i rëndë, apo edhe një  grip i rëndë mund të shkaktojnë humbje të flokëve.

3.Hormonet dhe stresi

Lindja: Pas lindjes, disa gra kanë humbje të dukshme të flokëve. Niveli i rënies së estrogjenit shkakton humbje të flokëve, por ky është një proçes i përkohshëm. Pas disa muajsh, femrat shohin që flokët e tyre rilindin.

Menopauza: Rënia e flokëve është e zakonshme gjatë menopauzës. Kjo rënie është shpesh e përkohshme. Flokët ri-rriten me kalimin e kohës, por nëse një grua është në të 40-at ose më tepër, ajo nuk duhet të presë që flokët e saj, të kenë të njejtën fortësi dhe dendësi si më parë.
Stresi: Përjetimi i një ngjarje traumatike, stresi i situatave të ndryshme të jetës së përditshme mund të shkaktojë humbje të flokëve.


4.Dieta e dobët ushqimore

Humbja e peshës: Tek disa persona vërehet rënie e flokëve, pasi humbasin peshë shpejt dhe në sasi më të madhe, nga sa i takon organizmit. Humbja e flokëve mund të shfaqet 3 deri në 6 muaj pas humbjes së peshës.

Mungesa e proteinave: Kur trupi nuk merr proteina mjaftueshëm fillon të racionojë proteinën që merr. Një mënyrë që trupi të mund racionojë proteina, është të frenojë rritjen e flokëve. Rreth 2 deri 3 muaj pasi një person nuk merr proteina të mjaftueshme, vihet re rënie flokësh. Mishi, vezët dhe peshqit janë burim i mirë i proteinave. Vegjetarianët mund të marrin më shumë proteina duke shtuar arra, fara dhe fasule në dietën e tyre.

Hekuri: Pamjaftueshmëria e hekurit mund të çojë në rënien e flokëve. Burime të mira vegjetariane të hekurit janë drithërat e fortifikuara me hekur si soja, farat e kungullit, fasulet e bardha, thjerrëzat dhe spinaqi. Nga ana tjetër, për të marrë sasi më të madhe hekuri, këshillohet konsumi i suplementeve apo preparateve që kanë përmbajtje hekuri.

Crrregullimi i të ngrënit: Kur një person ka një çrregullim të ngrënies, humbja e flokëve është e zakonshme. Anoreksia dhe bulimia mund të shkaktojnë humbje të flokëve.


5.Përdorimi i medikamenteve për trajtimin e rasteve të ndryshme shëndetësore

Disa lloje medikamentesh mund të shkaktojnë humbje të flokëve. Këtu përfshihen: holluesit e gjakut, vitamina A në dozë të lartë, medikamentet që trajtojnë artritin, depresionin, problemet e zemrës dhe presionin e lartë të gjakut.
Gjithashtu edhe pilulat kontraceptive tek disa femra mund të sjellin rënie të flokëve. Ka dhe raste të tjera, kur rënia e flokëve fillon pas ndalimit të marrjes së këtyre pilulave.

6.Steroidet anabolike

Steroidet e marra për të ndërtuar muskujt dhe për të përmirësuar performancën atletike, mund të shkaktojnë humbje të flokëve.

7.Kujdesi jo i duhur për flokët

Stilimi i flokëve dhe disa nga produktet që përdorni për flokët, mund të shkaktojnë rënie të tyre.
Hapja (celja) e shpeshtë e ngjyrës së flokëve mund t’i dëmtojë ato. Përdorimi i rregullt i ngjyrave, xhelit stilues ose fiksues, shkuma dhe spraj fiksues ose stilues, gjithashtu mund të shkaktojë dëmtim dhe rënie të flokëve. Dermatologët rekomandojnë kufizimin e përdorimit të këtyre produkteve për flokët. Më pak përdorim, shpesh nënkupton më pak dëmtim të flokëve.
Përdorimi i shpeshtë i tharëseve apo objekteve të tjera stiluese me nxehtësi ka tendencë të dëmtojë flokët. Nxehtësia e lartë mund të largojë ujin në boshtin e flokëve, duke i lënë ata të brishtë dhe të prirur për tharje dhe këputje. Dermatologët rekomandojnë kufizimin e përdorimit të këtyre pajisjeve, ose përdorimin e produkteve mbrojtëse ndaj nxehtësisë.
Llastiqet e flokëve, kapëset dhe shiritat e gomës, kur përdoren për të mbajtur flokët fort, kanë tendencë të këpusin dhe të dëmtojnë fijen e flokut.
Larja, tharja dhe krehja jo korrekte
Gabime të thjeshta në dukje, por që sjellin dëmtime të mëdha tek floku ndodhin edhe në procedurat e mëposhtme:
-Përdorimi i shampos në sasi më të madhe nga sa duhet;
-Krehja apo stilimi i përditshëm i flokëve me produktet e lartpërmendura (tharëse, pjastër, xhel etj);
–  Tharja e flokëve të lagur me peshqir. (Në vend të peshqirit këshillohet përdorimi i një cope të butë, kryesisht prej pambuku, e cila thith lagështinë, pa dëmtuar fijen e flokut nga fërkimi);
– Stilimi i flokëve të lagur (veçanërisht njerëzit aziatikë ose kaukazianë).

Si të trajtojmë rënien e flokëve?


Ashtu si ka shumë shkaqe, ka dhe shumë trajtime për rënien e flokëve.

Dermatologët rekomandojnë trajtimin e hershëm të rënies së flokëve.

Ja si mund të trajtoni rënien e flokëve:

1.Zbuloni fillimisht shkakun e rënies së flokëve, në mënyrë që të gjeni zgjidhjen e duhur. Verifikoni me mjekun specialist, nëse rënia e flokëve tuaja është hormonale, nga stresi, nga përdorimi i medikamenteve, nga dieta e keqe apo është gjenetike.

Është e rëndësishme të zbulohet burimi i rënies së flokëve, pasi cdo shkak ka trajtim të vecantë.


2. Përdorni produkte të buta për flokët.
Kur vini re që flokët tuaj janë duke u rralluar, kalimi tek produktet natyrale për flokët është një ide e mirë. Shumë shampo, balsamë, mbrojtës flokësh dhe produkte të tjera përmbajnë kimikate, që janë të ashpër me lëkurën e kokës dhe flokët, duke përshpejtuar kështu rënien e flokëve dhe duke dëmtuar flokët e mbetur. Përdorni shampo që nuk përmban sulfate ose ndonjë lloj alkooli. Këta përbërës janë shumë të dëmshëm për flokët. Kërkoni një balsam që nuk përmban silikon, pasi silikoni dëmton flokun.
3. Përdorni krehër në vend të furcave. Krehja e flokëve tuaj me furcë, bën që kjo e fundit të tërheqë më shumë fije floku, veçanërisht kur i keni flokët të lagur. Mënyra më e mirë për të krehur flokët, është duke përdorur një krehër me dhëmbë të gjerë. Filloni pranë majave të flokëve tuaj, duke krehur fillimisht lëmshat dhe në fund punoni deri tek rrënjët. Gjithashtu, evitoni sa më shumë të mundeni, përdorimin e pajisjeve dhe produkteve stiluese, të cilat përshpejtojnë dëmtimin dhe rënien e flokëve.

4. Masazhoni skalpin tuaj me një vaj ushqyes. Masazhi i skalpit (minimalisht një herë në javë) stimulon rritjen e flokëve, duke rritur qarkullimin rreth folikulave të flokëve. Fërkoni skalpin tuaj me lëvizje rrethore, duke filluar nga zona anësore e ballit, për të vazhduar në mes të skalpit dhe duke përfunduar në zonën e poshtme të kokës. Mos harroni të përqendroheni më tepër, tek zonat që kanë më shumë rënie flokësh. Mund të provoni për masazh vajin e bajames, vajin e portokallit, vajin e arrës së kokosit, vajin e livandos ose vajin e jojobës. Mund të përdorni fare mirë edhe komplekse vajore apo solucione në formë spraji, të përshtatshëm për flokët dhe masazhin e skalpit.
5.Përmirësoni dietën tuaj ushqimore.
Sigurohuni që produktet ushqimore që konsumoni, të kenë sasi të mjaftueshme proteinash dhe omega-3. Proteinat janë thelbësore për flokë të fortë. Një mangësi në proteina mund të çojë në flokë të thatë dhe të dobët, dhe në fund të fundit, humbje të flokëve. Sasia e përshtatshme e proteinave, mund të ndihmojë në sigurimin e aminoacideve që forcojnë flokët. Nga ana tjetër, trupit i duhen acide yndyrore omega-3, për të krijuar flokë të rinj. Konsumi i omega-3 është thelbësor për rritjen e flokëve, kështu që përpiquni të konsumoni ushqime të pasura por dhe suplemente me omega-3.
6.Përdorni suplementet e duhura
Fjala kyçe në cdo suplement për rënien e flokëve duhet të jetë biotina.
Biotina është një vitaminë e tretshme në ujë, pjesë e familjes së vitaminave B. Është gjithashtu e njohur si vitamina H. Trupi juaj ka nevojë për biotinë, për të ndihmuar në shndërrimin e disa lëndëve ushqyese në energji. Ajo luan një rol kryesor në shëndetin e flokëve, lëkurës dhe thonjve tuaj.
Por mos harroni t’i kushtoni rëndësi dhe vitaminave apo mineraleve të tjera të suplementeve për rënien e flokëve. Sigurohuni që suplementet e përzgjedhura të kenë :
-Kompleksin e Vitaminave B
-Vitaminë C
-Vitaminë D
-Vitaminë E
-Hekur
-Selenium
-Zink


7.Përdorimi i preparative të tjera
Në rast se bëhet fjalë për një rënie të theksuar të flokëve, e cila kërkon trajtim më të fuqishëm se ato të larpërmendurat, kërkohet këshillimi i mëtejshëm me dermatologun,  si dhe një përcaktim i saktë i produkteve që do të përdoren si dhe kohës së trajtimit.

Minoxidili

Ky medikament aplikohet në skalpin e kokës. Mund të ndalojë flokët të hollohen dhe të stimulojnë rritjen e flokëve në majë të kokës. Administrata e Ushqimit dhe Barnave (FDA) ka aprovuar minoxidil, për të trajtuar humbjen e flokëve. Minoxidili është i përshtatshëm si për femrat (nuk këshillohet gjatë gjidhënies), ashtu edhe për meshkujt. Ai mund të përdoret i vetëm, ose me produkte të tjera stimuluese për fortësimin e flokëve.
Finasteride
Finasteride ndërhyn në prodhimin e një forme të testosteronit, që lidhet me rënien e flokëve. Është medikament i miratuar nga FDA(Food and Drug Administration), për të trajtuar humbjen e flokëve tek meshkujt (alopecia androgjenike). Ndihmon në ngadalësimin e humbjes së flokëve tek shumica (rreth 88%) e meshkujve. Ndihmon në stimulimin e ri-rritjes së flokëve (rreth 66%) dhe funksionon, duke ndaluar trupin të prodhojë dihidrotestosterone (DHT). Ulja e sasisë së DHT çon në rritjen e rigjenerimit të flokëve dhe humbje të ngadalshme të flokëve. Rritja e flokëve në pjesët e tjera të trupit nuk ndikohet nga finasteride.

Femrat dhe fëmijët nuk duhet të përdorin këtë medikament.


Kortikosteroidet
Nëse humbja e flokëve është shkaktuar nga një inflamacion në trupin tuaj, dermatologu mund të injektojë kortikosteroide në skalpin tuaj. Kjo mund të ndihmojë në ndalimin e inflamacionit që ndodh kur, një person ka alopecia areata.