Diabeti është një sëmundje kronike, e zakonshme dhe shumë e përhapur. Njerëz në vende të ndryshme, me moshë dhe raca të ndryshme vuajnë nga diabeti. Diabeti është një sëmundje sa e thjeshtë, aq edhe e ndërlikuar dhe e vështirë.
Ajo që çdo person diabetik duhet të dijë është që diabeti mund të trajtohet dhe çdo person i prekur mund të jetojë një jetë normale.
Cfarë është diabeti?
Diabeti është një sëmundje metabolike, gjatë së cilës niveli i sheqerit në gjak është më i lartë se normalisht. Ushqimet që ne konsumojmë janë të shumta dhe të larmishme. Pjesa më e madhe e tyre përmbajnë sheqerna.
Insulina është një hormon që prodhohet në qelizat e pankreasit dhe është përgjegjëse për transportin e sheqerit në formën e glukozës, nga gjaku për në qeliza, ku ose depozitohet ose përdoret për energji. Problemi fillon në momentin që organizmi nuk prodhon insulinë sa duhet, ose kur insulina nuk përdoret si duhet nga organizmi.
Llojet e diabetit
Diabeti tip 1
Diabeti tip 1 është një sëmundje autoimune. Sistemi imunitar shkatërron qelizat e pankreasit, dhe si rrjedhojë nuk prodhohet më insulinë. Shkaku i kësaj sëmundjeje nuk njihet akoma. Mund të jetë gjenetike, mund të shkaktohet nga një virus ose një faktor tjetër akoma i panjohur.
Diabeti tip 2 (forma më e shprehur e diabetit)
Diabeti tip 2 shfaqet kur insulina prodhohet në pankreas, por organizmi nuk e përdor atë si duhet. Faktorët gjenetikë dhe stili i jetesës ndikojnë së tepërmi në ecurinë e pacientëve që vuajnë nga kjo sëmundje.
Diabeti gjatë shtatzënisë
Në disa raste gjatë shtatzënisë, trupi bëhet më pak i ndjeshëm ndaj insulinës. Gratë shtatzëna kanë nivele më të larta të sheqerit në gjak. Kjo nuk ndodh tek të gjitha femrat gjatë shtatzënisë dhe është një situatë që kthehet në normalitet mbas lindjes.
Cfarë është pre-diabeti?
Pre-diabeti është kufiri që ndan një person me nivel normal të sheqerit në gjak, nga një person që vuan nga diabeti.
Tek një person normal niveli i sheqerit në gjak varion nga 70 deri në 99 mg/dL. Kur niveli i sheqerit në gjak është mbi 100 por më pak se 125 mg/dL themi se personi është pre-diabetik.
Pre-diabeti është një situatë që nuk kërkon mjekim, por ndjekjen e një diete ushqimore të shëndetshme dhe kryerjen e aktivitetit rregullisht të rregullt fizik.
A mund të trajtohet diabeti?
Diabeti është një sëmundje tepër e studiuar dhe e njohur. Në varësi të llojit të diabetit ekziston dhe kura përkatëse.
Nëse një person vuan nga diabeti tip 1 është i nevojshëm përdorimi i insulinës. Insulina injektohet nënlëkurë dhe synon të normalizojë nivelin e sheqerit në gjak. Ka disa lloje të ndryshme insulinash:
- insulina me veprim të gjatë;
- insulina me veprim të shpejtë;
- insulina me veprim mesatar;
- insulina neutrale.
Një person mund të përdorë një ose disa lloje të ndryshme insulinash njëkohësisht në varësi të gjendjes së tij/saj. Lloji i insulinës, doza dhe shpeshtësia e administrimit përcaktohet nga mjeku përkatës.
Trajtimi për diabetin tip 2 është i ndryshëm nga ai i diabetit tip 1. Ekzistojnë klasa të ndryshme medikamentesh, që përdoren kryesisht në rrugë orale dhe që synojnë uljen e nivelit të sheqerit në gjak.
Bazuar në efikasitetin e medikamentit, në efektet e tij anësore dhe në gjendjen shëndetësore të pacientit mjeku zgjedh trajtimin e duhur. Në disa raste mund të përdoret dhe insulina.
Rëndësia e dietës ushqimore tek një person diabetik
Nëse një person është diagnostikuar me diabet, duhet të bëjë shumë kujdes me ushqimet që konsumon. Ruajtja e niveleve normale të sheqerit në gjak është shumë e rëndësishme, pasi shmang shfaqjen e sëmundjeve bashkë-shoqëruese si p.sh sëmundjet e zemrës.
Një person diabetik mund të ketë një jetë normale por duke bërë disa sakrifica.
Aktiviteti fizik ka një ndikim shumë pozitiv në uljen e nivelit të sheqerit në gjak.
Dieta ushqimore duhet të jetë e larmishme, e shëndetshme dhe e kontrolluar. Pra, një person diabetik duhet të konsumojë ushqime të shëndetshme në sasi të moderuara.
Më poshtë po listojmë disa nga ushqimet që një person diabetik mund të konsumojë.
- Perimet me gjethe të gjelbra – janë shumë të shëndetshme dhe përmbajnë pak kalori. Janë burim i mineraleve dhe vitaminave (përfshirë dhe vitaminën C).
- Peshku – salmoni, sardelet, skumbrite janë burim i acideve yndyrore omega-3. Të gjithë i njohim përfitimet që ka omega-3 për organizmin në përgjithësi dhe zemrën në veçanti.
- Avocado është i pasur me yndyrna të shëndetshme dhe vitamina, mund ta konsumoni midis dy vakteve ushqimore ose në sallata.
- Farat Chia janë të pasura me fibra dhe përmbajnë sasi të vogla sheqernash të tretshme. Ndihmojnë në rënien në peshë pasi pakësojnë ndjesinë e urisë.
- Bishtajat janë të pasura me vitaminat e grupit B dhe minerale. Janë një ushqim tepër i shëndetshëm dhe njëkohësisht i përshtatshëm për personat diabetikë, pasi kanë indeks të ulët kalorik.
- Brokoli është një ushqim shumë i shijshëm dhe i shëndetshëm. Sipas një studimi ngrënia e brokolit ul nivelet e sheqerit në gjak.
- Vaji i ullirit ka veti antioksiduese, ul nivelin e triglicerideve dhe përmirëson indeksin glicemik.
Si mund të kujdeseni për veten ose për një person të familjes që është diagnostikuar me diabet?
Kur një person diagnostikohet me diabet, fillimisht mendon nëse ky fakt do të ndyshojë jetën e tij. A do arrijë të kryejë të njëjtat aktivitete si më parë? A mund të monitorojë vetë nivelet e sheqerit, apo duhet të shkojë në spital? A do t’i sjellë diabeti sëmundje të tjera?
Gjëja e parë dhe më e rëndësishmja kur mëson se vuan nga një sëmundje është të menaxhosh situatën me qetësi. Nuk duhet të stresoheni pasi stresi ndikon negativisht në çdo patologji.
Përqëndrohuni tek problemi dhe mundohuni të gjeni zgjidhjen më të mirë për ju. Këshillohuni dhe bisedoni me mjekun tuaj për çdo paqartësi. Bisedoni dhe shprehini shqetësimet tuaja një familjari ose miku të ngushtë. Vetëm në këtë mënyrë do të merrni të gjitha përgjigjet që dëshironi dhe do të jeni më i qetë.
Diabeti është një sëmundje shumë e përhapur: një pjestar tjetër i familjes mund ta ketë, një i afërm, një koleg. Ju nuk jeni i vetëm në luftën kundër kësaj sëmundjeje.
Pasi jeni diagnostikuar me diabet:
- merrni rregullisht medikamentet që ju ka përshkruar mjeku;
- kujdesuni që dieta juaj ushqimore te jetë e shëndetshme dhe e varfër me sheqerna;
- shmangni konsumimin e alkoolit;
- merruni me aktivitet fizik;
- monitoroni vazhdimisht nivelet e sheqerit në gjak.
Monitorimi i nivelit të sheqerit në gjak mund të bëhet në çdo moment, por matja që jep informacion të vlefshëm është matja esëll në mëngjes dhe dy orë pas konsumimit të ushqimit.
Sot ekzistojnë pajisje matëse për përdorim nga vetë pacienti, praktike dhe të thjeshta në përdorim, që sigurojnë informacion të menjëhershëm për vlerën e glicemisë, nëpërmjet një shpimi sipërfaqësor.
Ndiqni hapat e mëposhtme për një matje sa më të saktë.