Shpesh e përmendur si “vitamina e diellit”, vitamina D është një vitaminë e tretshme në yndyrna që ruhet në mëlçi dhe indet yndyrore.
Arsyeja që vitamina D njihet me këtë përshkrim është sepse ajo sintetizohet nga kolesteroli kur lëkura juaj ekspozohet ndaj diellit.
Pavarësisht nga emri i saj, vitamina D nuk është një vitaminë, por një prohormon, ose pararendëse e një hormoni.
Sa lloje vitamine D ka?
Ekzistojnë dy lloje të vitaminës D: vitamina D2 (ergocalciferol) dhe vitamina D3(kolecalciferol).
Fatkeqësisht, shumica e ushqimeve të fortifikuara me vitaminë D përmbajnë kryesisht ergocalciferol, pra vitaminën D2, që nuk është as aq e absorbueshme dhe as e konvertueshme nga trupi në atë që i nevojitet. D3 nga produktet shtazore (konkretisht nga kolesteroli në këto produkte) është më i afërti me atë që rrezet e diellit prodhojnë natyrshëm te njerëzit. Vitamina D3 besohet se shndërrohet deri në 500 herë më shpejt sesa D2 dhe është vlerësuar të jetë katër herë më efektive tek njerëzit.
Cilat janë benefitet e vitaminës D?
Vitamina D ka role të shumta në organizëm. Ajo ndihmon në:
• Përforcimin e kockave dhe dhëmbëve;
• Fuqizimin e sistemit imunitar;
• Rritjen e aktivitetitdhe mirëqenien e sistemit nervor;
• Mirëfunksionimin e mushkërive dhe sistemit kardiovaskular;
• Shprehjen e gjeneve të përfshira në zhvillimin e kancerit;
• Uljen e problemeve të fertilitetit;
1.Kocka të shëndetshme
Vitamina D luan një rol të rëndësishëm në përthithjen e kalciumit dhe mirëmbajtjen e niveleve të fosforit në gjak. Këta faktorë janë jetikë për ruajtjen e eshtrave të shëndetshme. Njerëzit kanë nevojë për vitaminë D, për të lejuar që zorrët të thithin kalciumin dhe të rimarrin kalciumin që veshkat sekretojnë.
Mungesa e vitaminës D tek fëmijët mund të shkaktojë rakitizëm, gjë që çon në një pamje mjaft të ngjeshur për shkak të zbutjes së eshtrave. Në mënyrë të ngjashme, tek të rriturit, mungesa e vitaminës D manifestohet si osteomalacia, që rezulton në densitet të dobët të kockave dhe dobësi muskulore.
2.Sistem imunitar i fuqishëm
Vitamina D ndihmon në parandalimin infeksioneve, duke përmirësuar aftësinë e trupit tuaj për të bllokuar bakteret e dëmshme dhe duke forcuar sistemin imunitar. Hulumtimet tregojnë se është e dobishme në parandalimin dhe trajtimin e tuberkulozit, psoriasis, ekzemës, infeksioneve të plagëve, gripit, infeksioneve të traktit urinar, madje dhe infeksioneve të syrit.
3.Mirëqenie e sistemit nervor
Disa studime kanë treguar se vitamina D gjithashtu ndikon në aftësinë tonë për të marrë vendime, për t’u përqendruar dhe për tëruajtur informacionin. Studiuesit tregojnë se njerëzit me nivele më të ulëta të viaminës D rezultojnë më dobët në provimet e standardizuara, mund të kenë aftësi të dobëta në vendimmarrje dhe të kenë vështirësi me detyrat që kërkojnë përqendrim dhe vëmendje.
4.Risk i ulët për sëmundje kardiovaskulare
Jo vetëm që marrja e mjaftueshme e vitaminës D është thelbësore për ruajtjen e shëndetit të zemrës, por mungesa e saj mund të krijojë probleme serioze të zemrës. Hulumtimet tregojnë se mungesa e vitaminës D është e lidhur me një rrezik të shtuar të zhvillimit të sëmundjeve kardiovaskulare, duke përfshirë hipertensionin, atakun kardiak dhe sëmundjet ishemike të zemrës.
5.Mbron kundër kancerit
Simptomat e mungesës së vitaminës D kanë lidhje me rritjen e rrezikut për zhvillimin e kancerit, veçanërisht atij të gjirit, zorrës së trashë dhe prostatës. Sipas hulumtimeve të publikuara në Frontiers in Endokrinology, vitamina D luan rol në faktorët që ndikojnë në rritjen e tumorit, diferencimin e qelizave dhe shumimin e tyre.
Studiuesit kanë zbuluar se rritja e ekspozimit në diell dhe niveli i duhur i vitaminës D janë të lidhura me uljen në përmasë të tumoritsi dheuljen e vdekshmërisë në shumë lloje të kancerit.
Sipas një studimi të botuar në American Journal of Clinical Nutrition, përmirësimi i vitaminës D dhe kalciumit zvogëlon ndjeshëm rrezikun e kancerit në gratë pas menopauzës.
6.Përmirëson Fertilitetin
Para se të shikoni për trajtime të shtrenjta të fertilitetit kur përpiqeni për një shtatzëni, sigurohuni që nivelet e vitaminës D tuaj të jenë optimale. Studimet tregojnë se vitamina D luan një rol të madh në fertilitet, duke rritur nivelin e progesteronit dhe estrogjenit tek femrat ndërsa përmirëson cilësinë e spermës tek meshkujt.
Shenjat e mungesës së vitaminës D
Dy nga simptomat më të zakonshme të mungesës së vitaminës D janë lodhja kronike dhe dhimbjet e përhapura në të gjithë muskujt dhe nyjet. Megjithatë, ka edhe disa simptoma të tjera si, infeksione të shpeshta dhe ftohjekronike, depresion,shërimi ngadalshëm i plagëve,dobësi e densitetit kockor,rënie e flokëve etj.
Ku mund të marrim vitaminë D?
Ushqime të pasura me vitaminë D janë:
• Peshku i egër me përmbajtje të lartë yndyrore (salmon, sardele, skumbri etj);
• Vaji i mëlçisë së merlucit;
• Vezët;
• Qumështi dhe djathi;
• Kërpudha të egra.
Kombinimi i ekspozimit të përditshëm në diell me këto ushqime të pasura me vitaminë D, do të sigurojë që ju të merrni të gjitha përfitimet e kësaj vitamine. Sigurisht nuk duhen harruar dhe suplementet me vitaminë D.Megjithatë, sigurohuni që të testoni nivelet tuaja të kësaj vitamine përpara se të vendosni të përdorni suplementet.
Sa vitaminë D duhet të konsumoni?
Doza e vitaminës D matet në mikrogram (mcg) ose në njësi ndërkombëtare (IU). Një mikrogram i vitaminës D është i barabartë me 40 IU.
Dozat e rekomanduara ditore të vitaminës D janë si më poshtë:
• Foshnjat 0–12 muaj: 400 IU (10 mcg).
• Fëmijët 1–18 vjeç: 600 IU (15 mcg).
• Të rriturit deri në 70 vjeç: 600 IU (15 mcg).
• Të rriturit mbi 70 vjeç: 800 IU (20 mcg).
• Gratë shtatzëna ose me gjidhënie: 600 IU (15 mcg).
Ekspozimi i ndjeshëm i diellit në lëkurën e zhveshur për 5-10 minuta, 2-3 herë në javë, lejon shumicën e njerëzve të prodhojnë mjaftueshëm vitaminë D, megjithatë vitamina D nuk ka qendrueshmëri, që do të thotë se depozitat e organizmitme vitaminë D zbrazen, veçanërisht në dimër.
Sa IU vitaminë D është shumë? Rreziqet dhe efektet anësore
Toksiciteti i vitaminës D besohet të jetë shumë i rrallë.
Kur bëhet fjalë për dozën e duhur të vitaminës D, duhet të jeni më të shqetësuar për marrjen e mjaftueshme sesa të merrni shumë dhe pa këshillat e duhura.
Kjo bazohet tek një studim i fundit i vitit 2019 që zbuloi se përdorimi i dozave më të larta të vitaminës D nga sa këshillohet, nuk përmirëson shëndetin e kockave, por në të vërtetë ul dendësinë minerale të tyre.
Duhet të keni në vëmendje edhe kundërindikimet e tepricës së vitaminës D kur shoqërohet me disa medikamente!
Vitamina D në dozë të lartë nuk këshillohet të merret njëkohësisht me:
Alumin – Marrja afatgjatë e vitaminës D në dozë të lartë dhe aluminit mund të shkaktojë nivele të dëmshme të aluminit tek njerëzit me insuficiencë renale.
Antikonvulsantë- Fenobarbitali dhe fenitoinat (antikonvulsantë) rrisin procesin e shpërbërjessë vitaminës D dhe zvogëlojnë përthithjen e kalciumit.
Atorvastatina- Marrja e pakontrolluar e vitaminës D mund të ndikojë në mënyrën se si trupi juaj përpunon medikamentetqë luftojnë sasinë e lartë të kolesterolit.
Kalkipotriene (Dovonex) – Mos merrni vitaminë D me këtë ilaç të psoriasis. Kombinimi mund të rrisë rrezikun e e rritjes sëkalciumit në gjak (hiperkalcemia).
Kolestiramina (Prevaliti). Marrja e këtij ilaçi për humbje peshe mund të zvogëlojë thithjen e vitaminës D.
Digoxina- Shmangni marrjen e dozave të larta të vitaminës D me këtë medikament. Doza të larta të vitaminës D mund të shkaktojnë hiperkalcemi, gjë që rrit rrezikun e problemeve fatale të zemrës me digoksinën.
Diltiazem, Verapamil,-Shmangni marrjen e dozave të larta të vitaminës D me këtomedikamente për presionit e gjakut. Doza të larta të vitaminës D mund të shkaktojnë hiperkalcemi, e cila mund të zvogëlojë efektivitetin e barit.
Diuretikët tiazidikë – Këto medikamente mund të ulin sekretimin e kalciumit urinar. Kjo mund të çojë në hiperkalcemi nëse jeni duke marrë vitaminë D në dozë të lartë dhe të pakëshilluar.
Steroidet – Marrja e steroideve si prednisoni mund të zvogëlojë thithjen e kalciumit dhe të dëmtojë përpunimin që trupit juaj i bën vitaminës D.
Laksativët stimulues- Përdorimi afatgjatë i dozave të larta të laksativëve stimulues mund të zvogëlojë sasinë e vitaminës D dhe thithjen e kalciumit.