Gjidhënie është procesi, gjatë së cilit një nënë ushqen me qumësht gjiri fëmijën e saj. Ushqyerja me gji ndihmon nënën dhe bebin të krijojnë një lidhje të afërt me njëri tjetrin.
Ushqyerja me gji është një proces sa i lehtë aq dhe i ndërlikuar. Për një nënë të re ka shumë pyetje të cilat duhet të marrin një përgjigje.
Nëse jeni një nënë e re, mund t’i bëni vetes shpesh këto pyetje:
-Kur është koha e duhur për të ushqyer bebin?
-A e ngop qumështi i gjirit fëmijën apo duhet dhe ushqim shtesë?
-Sa herë në ditë duhet ta ushqej fëmijën?
-Si ta kuptoj që fëmija im është i uritur?
Më poshtë po ju tregojmë disa fakte dhe njohuri që synojnë t’u përgjigjen këtyre pyetjeve dhe që kanë për qëllim ta bëjnë më të lehtë ushqyerjen me gji si për ju, ashtu dhe për bebin tuaj.
Menjëherë pas lindjes, trupi nis të prodhojë qumështin për të ushqyer foshnjën e ardhur në jetë. Ky proçes kalon në tre stade:
-Faza e parë është prodhimi i kulloshtrës. Kulloshtra nuk është gjë tjetër vetëm një substancë e trashë, zakonisht e verdhë, që prodhohet në sasi të vogël, por që përmban shumë vitamina dhe minerale. Ka aftësi të krijojë një shtresë veshëse, mbrojtëse në zorrë, si dhe të nxisë lëvizshmërinë e zorrës. Edhe pse prodhohet në sasi të vogël është e mjaftueshme për të plotësuar nevojat ushqimore të bebit.
-Faza e dytë është faza gjatë së cilës prodhohet “qumështi tranzit”. Zakonisht prodhohet ditën e tretë ose ditën e katërt pas lindjes. Përmban shumë kalori dhe yndyrna.
-Faza e tretë dhe e fundit është faza e prodhimit të qumështit të kompletuar. Ai është një lëng i bardhë, i trashë, që përmban të gjitha lëndët ushqyese, për të cilat fëmija juaj ka nevojë.
Shumë mjekë dhe specialistë të shëndetit rekomandojnë vetëm ushqyerjen me gji në 6 muajt e parë të jetës. Pas muajit të 6-të mund të shtohen ushqime të tjera, por ushqyerja me gji dhe gjatë kësaj kohe nuk duhet të ndërpritet.
Qumështi i gjirit është ushqimi më i shëndetshëm për fëmijën tuaj!
Përdorni qumësht formule vetëm kur ushqyerja me gji nuk është e mundur, ose e pamjaftueshme dhe vetëm pasi të jeni këshilluar me mjekun pediatër.
Sa herë në ditë duhet të ushqeni me gji?
Ushqyerja e bebit tuaj ndryshon me rritjen e tij. Një fëmijë i sapolindur e ka të nevojshme ushqyerjen me gji 8 – 12 herë në ditë, pra çdo 2 – 3 orë.
Pas muajit të parë ju mund ta ushqeni fëmijën tuaj 7 – 9 herë në ditë.
Sa më shumë rritet fëmija aq më e rrallë do jetë ushqyerja me gji.
Nuk është e nevojshme që të vini “alarm” për t’u kujtuar që ka ardhur koha për të ushqyer fëmijën me gji. Do jetë vetë i vogli juaj që do u tregojë mes gjesteve, që ka ardhur koha për ta ushqyer. Nëse ai/ajo është i/e uritur:
-do fillojë të qajë;
-do lëpijë buzët ose gjuhën;
-do mbajë gojën hapur;
-do fillojë të kërkojë me sy burimin e ushqimit.
Rëndësia e ushqyerjes me gji për fëmijën
Qumështi i gjirit përmban: qeliza të bardha të gjakut, qeliza burimore, baktere të mira, antitrupa, enzima, hormone dhe substanca të tjera, të cilat ndihmojnë në parandalimin dhe luftimin e infeksioneve.
Ta ushqesh bebin me gji nënkupton:
- Probabilitet më i ulët për shfaqjen e infeksioneve të traktit gastro-intestinal.
- Probabilitet më i ulët për shfaqjen e infeksioneve të veshit.
- Probabilitet më i ulët për shfaqjen e infeksioneve të rrugëve të frymëmarrjes.
- Probabilitet më i ulët për shfaqjen e diabetit tip I dhe II në vitet e ardhshme të jetës.
- Një sistem imunitar i fortë.
- Zhvillim dhe rritje normale.
Rëndësia e ushqyerjes me gji për nënën
Një nënë që ushqen me gji në krahasim me një nënë që nuk ushqen me gji:
- Humb më shpejt peshë trupore, pasi gjatë gjidhënies humbet të paktën 400 kalori në ditë.
- Ka një rrezik më të ulët për të pasur kancer ovarian.
- Ka një rrezik më të ulët për t’u diagnostifikuar me kancer gjoksi.
- Rifiton përmasat normale të uterusit (përmasat para-shtatzënisë) më shpejt.
Fakte rreth ushqyerjes me gji
- Rreth 75% e nënave prodhojnë më shumë qumësht në gjirin e djathtë.
- OBSH rekomandon që ushqyerja me gji të vazhdojë deri në moshën 2 vjeçare.
- Suedia ka shkallën më të lartë të nënave që ushqejnë me gji: 98%.
- Ushqyerja me gji i përgjum bebet.
- Nëna harxhon 400 -600 kalori në ditë vetëm nga ushqyerja me gji.
- Bebet kanë një nuhatje të lartë. Ata mund të dallojnë qumështin e gjirit të nënës së tyre nga qumështi i gjirit të një femre tjetër.
- Hormoni që stimulon prodhimin e qumështit (prolaktina), është përgjegjës dhe për pengimin e ovulacionit, pra suhqyerja me gji (sidomos në muajt e parë, kur është i vetmi ushqim për foshnjën), shërben edhe si metodë kontraceptive, që parandalon një shtatzëni tjetër.