Antibiotikët janë medikamente të fuqishme që luftojnë infeksionet bakteriale.
Ata NUK veprojnë në infeksionet e shkaktuara nga viruset, sic është gripi. Antibiotikët “nuk zgjedhin”. Ata luftojnë përveç baktereve patogjene, edhe bakteret “e mira” që gjenden në organizmit tonë dhe i sigurojne atij mbrojtje nga mikroorganizmat patogjene, apo marrin pjesë në proçese të rëndësishme, si sinteza e vitaminave, prodhimi i energjisë etj. Këta baktere gjenden në traktin tretës, sistemin e frymëmarrjes, në lëkurë, apo në mukozën gjenitale. Shkatërrimi i kësaj flore bakteriale shkakton disa efekte
anësore të antibiotikëve, sic janë infeksione mykotike, diarre, të vjella, mungesë vitaminash etj.
Kjo është arsyeja, pse shpesh antibiotikët këshillohet të shoqërohen me
probiotikë apo vitamina.
Përdorimi i antibiotikëve sjell antibiotiko-rezistencën. Sa herë që përdoret një antibiotik, flora mikrobiale patogjene shkatërrohet, përveç një numri të vogël që mbijeton dhe e përcjell këtë veti te pasardhësit. Në rastet e përdorimit jokorrekt, si psh. në dozën e gabuar apo ndërprerjen e kurës, rreziku i antibiotiko-rezistencës është shumë më i madh. Bakteret patogjene bëhen rezistente ndaj antibiotikut dhe kur bien sërish në kontakt me të, ky i fundit humbet veprimin ndaj tyre, duke mos e kuruar infeksionin.
Sot, fenomeni i antibiotiko-rezistencës është një problem global.
Këshilla jonë:
Mos përdorni antibiotikë pa rekomandimin e mjekut. Ndiqni gjithnjë këshillat e tij, në lidhje me dozën dhe kohëzgjatjen e mjekimit.