Omega-3, omega-6 dhe omega-9 janë acidet yndyrore më të njohura. Omega-3 dhe omega-6 janë acide yndyrore të pangopura, që kanë në strukturën e tyre kimike disa lidhje dyfishe. Ato nuk prodhohen në organizëm, por duhet të merren nëpërmjet dietës ushqimore. Omega-9 janë acide yndyrore të pangopura me një lidhje dyfishe dhe gjenden në organizëm.
Llojet e omega-3:
- EPA (acidi eikozapentanoik) – ka si funksion kryesor të sintetizojë eikozanoide, të cilat pakësojnë inflamacionin. Ato gjithashtu pakësojnë simptomat e depresionit.
- DHA (acidi dokozahekzanoik) – është i rëndësishëm për zhvillimin normal dhe mirë-funksionimin e trurit.
- ALA (acidi alfa linolenik) – përdoret nga organizmi për të përftuar energji.
Burim kryesor për omega-3 janë peshqit.
Acidet yndyrore omega-6 përdoren për të përftuar energji. Më i njohuri ndër to është acidi linoleik, i cili shndërrohet në ARA (acidin arakidonik). ARA merr pjesë në proçese që çojnë në sintezën e eikozanoideve pro-inflamatore. Kjo është tepër e rëndësishme për sistemin imunitar, por e panevojshme në rastin e disa sëmundjeve kronike.
Një tjetër acid yndyror omega-6 është GLA (acidi gama linolenik) që gjendet në vajin borage dhe në vajin e aguliçes. Sipas një studimi u vu re se GLA pakëson masën yndyrore në trup dhe lehtëson simptomat e artritit rheumatoid.
Omega-9 nuk janë acide yndyrore esenciale. Më i njohuri ndër to është acidi oleik, i cili:
- pakëson trigliceridet;
- pakëson VLDL-të;
- ul inflamacionin;
- rrit ndjeshmërinë ndaj insulinës.
Për arsyet e sipërpërmendura si dhe për shumë arsye të tjera është e rëndësishme marrja e acideve yndyrore omega. Por e rëndësishme është edhe që suplementet që përmbajnë omega-3, omega-6 dhe omega-9 t’i kenë ato në raportet e duhura 2:1:1.
Cilat janë benefitet e omega-3 në organizëm?
1-Omega-3 pakëson depresionin dhe ankthin – depresioni është një ndër problematikat më të përhapura dhe shqetësuese në të gjithë botën. Njerëzit me depression shfaqin shenja si: humbje të interesit për jetën, gjendje letargjike, janë të mërzitur etj. Ankthi është një gjëndje konstante shqetësimi dhe nervozizmi. Sipas disa studimeve njerëzit të cilët konsumojnë omega-3 janë më pak të prirur për të rënë në depression. Kur njerëzit me depresion ose ankth fillojnë të marrin suplemente me omega-3 simptomat e tyre fillojnë të përmirësohen.
2-Omega-3 ndikon pozitivisht në shikim – DHA është një ndër komponentët kryesorë të retinës. Marrja e sasive normale të omega-3 pakëson riskun për degjenerim makular, një ndër shkaqet kryesore për dëmtim të përhershëm të syrit dhe humbje të shikimit.
3-Omega-3 e marrë gjatë shtatzënisë dhe fillimit të jetës ka një ndikim pozitiv në sistemin nervor – Omega-3 është i rëndësishëm për rritjen dhe zhvillimin e fëmijëve tuaj. Marrja e sasive të konsiderueshme të omega-3 gjatë shtatzënisë nënkupton që fëmija juaj të ketë aftësi komunikuese më të mira, inteligjencë më të lartë, risk më të ulët për ADHD, autizëm dhe paralizë cerebrale.
4-Omega-3 pakëson rrezikun për sëmundje të zemrës – acidet yndyrore omega-3 lidhen me një sërë përfitimesh për zemrën. Ato pakësojnë nivelin e triglicerideve, kolesterolit dhe ndihmojnë në uljen e presionit të gjakut.
5-Omega-3 lufton inflamacionin – Omega-3 pakëson sintezën e molekulave që marrin pjesë në proçesin e inflamacionit, siç janë eikozanoidet dhe citokinat.
6-Omega-3 mund të pakësojë rrezikun për shfaqjen e sëmundjeve autoimune – sipas disa studimeve marrja e suplementeve me omega-3 gjatë viteve të para të jetës pakëson riskun për shfaqjen e sëmundjeve autoimune ku përfshihet diabeti tip 1, diabeti autoimun, lupusi, artriti rheumatoid etj.
7-Omega-3 pakëson sasinë e acideve yndyrore në mëlçi– marrja e suplementeve me omega-3 pakëson sasinë e acideve yndyrore në mëlçi dhe ul inflamacionin tek njerëzit që kanë një mëlçi “të dhjamosur” me shkaqe jo-alkoolike.
8-Omega-3 është e rëndësishme për kockat dhe artikulacionet – omega-3 rrit sasinë e kalçiumit në kocka dhe pakëson riskun për osteoporozë.
9-Acidet yndyrore omega-3 kanë një ndikim pozitiv në lëkurë – DHA është një komponent strukturor i rëndësishëm për qelizat membranore. Një qelizë membranore e shëndetshme nënkupton një lëkurë të butë, të shëndetshme dhe pa rrudha. EPA është e rëndësishme pasi pakëson shfaqjen e akneve, parandalon plakjen e lëkurës dhe e hidraton atë.
Çfarë është oksidimi dhe kur ndodh?
Vaji i peshkut zakonisht prodhohet ose në formën e lëngut ose në formën e kapsulave xhelatinore. Ai është shumë i paqëndrueshëm dhe i nënshtrohet shpesh herë proçesit të oksidimit (reaksion kimik midis vajit të peshkut dhe oksigjenit). EPA dhe DHA janë substanca të paqëndrueshme për shkak të pranisë në strukturën e tyre kimike të disa lidhjeve dyfishe. Kjo nënkupton që ato mund të veprojnë me oksigjenin në çfarëdolloj momenti, duke krijuar një aromë dhe shije të pakëndshme. Proçesi i oksidimit ndodh ose gjatë sintezës së vajit ose gjatë ruajtjes së tij. Për këtë arsye kur filloni të përdorni një suplement me omega-3 duhet të kini parasysh që nuk duhet të ketë ngjyrë të errët, aromë të rëndë apo shije të keqe.
Si të zgjidhni një suplement me omega cilësor?
Ditët e sotme ka kompani të shumta që sintetizojnë dhe hedhin në treg suplemente me omega-3, omega-6 dhe omega-9. Zgjedhja e produktit të duhur bëhet jo vetëm duke u bazuar te çmimi dhe te parimi kush kushton më shumë është më i mirë, por duke parë udhëzuesin dhe detaje si:
- lloji i omegës i përdorur;
- sasia e omega-3;
- forma e omega-3 e përdorur (për një përthithje sa më të mirë duhet të jetë në formën e triglicerideve ose fosfolipideve)
- pastërtia;
- qëndrueshmëria;
- origjina e peshkut të përdorur.
Fakt
Krill oil (vaji i karkalecit të kuq) (specie detare e familjes Euphausiacea) përmban omega-3 në formën e triglicerideve dhe fosfolipideve, që janë tepër të absorbueshme nga organizmi. Për shkak se përmban astaksantinë, një substancë me veti antioksiduese është rezistent ndaj proçesit të oksidimit.
Karkaleci i kuq që ka një jetë të shkurtër. Kjo nënkupton që nuk akumulon substanca të dëmshme (si p.sh mërkuri).
Suplementet vajin e karkalecit të kuq janë shumë të rekomanduara për t’u përdorur.