Thuaji PO mbrojtjes nga dielli!

Thuaji PO mbrojtjes nga dielli!

Rrezet e dëmshme të diellit dëmtojnë lëkurën pavarësisht moshës, gjinisë apo tipit të saj, ndaj mbrojtja nga dielli është e domosdoshme për këdo. Edhe personat që punojnë në ambiente të brendshme janë të ekspozuar ndaj rrezatimit UV, veçanërisht nëse ndodhen pranë dritareve, të cilat në përgjithësi filtrojnë rrezet UVB, por jo ato UVA.
Përdorimi i mbrojtësve nga dielli mund të ndihmojë në parandalimin e kancerit të lëkurës. Rrezatimi i diellit përbëhet nga dy lloje rrezesh të dëmshme që arrijnë në tokë, rrezet UVA dhe UVB. Të parat mund të plakin para kohe lëkurën, dhe janë shkaktare të rrudhave dhe njollave, ndërsa rrezet UVB (ose rrezet djegëse) janë shkaku kryesor i djegieve nga dielli.

Por çfarë karakteristikash duhet të ketë një mbrojtës i mirë nga dielli dhe si të zgjedhim produktin e duhur?
Zgjidhni gjithnjë mbrojtje të spektrit të gjerë (kundër rrezeve UVA dhe UVB), me SPF (Sun Protection Factor) 30 ose më të lartë dhe rezistent ndaj ujit (kur jeni në plazh apo pishinë). SPF (sun protection factor) përcakton përqindjen e rrezeve UV që nuk arrijnë në lëkurë. SPF 30 bllokon deri në 97% të rrezeve të diellit dhe mbrojtja rritet me SPF më të lartë. Është e rëndësishme të mbani mend se SPF e lartë dhe ajo e ulët kanë të njejtën kohëzgjatje veprimi.
Aplikimi i mbrojtësit nga dielli duhet të bëhet përafërsisht çdo dy orë kur qendroni jashtë, edhe në ditët me re, pas notit ose djersitjes, madje dhe kur jeni në vende me borë, sepse bora pasqyron rrezet e diellit po aq sa uji dhe rëra.
Lloji i mbrojtësit që ju përdorni është një zgjedhje personale dhe mund ta zgjidhni në varësi të llojit të lëkurës dhe zonës së trupit. Ekzistojnë edhe mbrojtës dielli më specifikë, të tillë si për lëkurë të ndjeshme dhe alergjike, lëkurë të yndyrshme dhe akneike, lëkurë me njolla, për shenja apo tatuazhe. Disa produkte mbrojtëse janë të kombinuara dhe ofrojnë efekte shtesë si hidratim, efekt anti-rrudhë, anti-njollë etj. Alternativë tjetër janë edhe solarët të cilët kanë ngjyrë dhe mund të përdoren mjaft mirë në çdo periudhë të vitit.
E dini se sa dhe si duhet aplikuar një mbrojtës nga dielli?
Shpeshherë përdoret vetëm 25-50% e sasisë së rekomanduar për arritjen e efektit mbrojtës.
Aplikoni sasi të mjaftueshme për të mbuluar të gjithë lëkurën e ekspozuar. Mos harroni të vendosni krem në majat e këmbëve, në qafë, rreth veshëve dhe në pjesën e sipërme të kokës. Aplikojeni solarin në lëkurë të thatë 20-30 minuta para ekspozimit. Mos neglizhoni buzët, pasi dhe ato dëmtohen nga dielli. Përdorni një stik buzësh që përmban SPF 30 ose më të lartë. Kur jeni për një kohë të gjatë jashtë, riaplikoni solarin përafërsisht çdo dy orë.

Një kujdes i veçantë i kushtohet foshnjave dhe fëmijëve, të cilët kanë produktet e tyre të mbrojtjes nga dielli.
Nuk rekomandohet ekspozimi direkt në diell dhe përdorimi i kremit mbrojtës ndaj diellit në foshnjat nën 6 muaj. Mbi këtë moshë këshillohet një mbrojtës me spektër të gjerë dhe i qëndrueshëm ndaj ujit, me SPF 30 ose më të lartë. Kur fëmijët janë jashtë, aplikimi duhet përsëritur përafërsisht çdo dy orë ose edhe më shpesh (referojuni etiketës së produktit).