Tatuazhet: Kujdesi dhe mirëmbajtja

Tatuazhet: Kujdesi dhe mirëmbajtja

Tatuazhet janë një formë arti që ka lindur që në lashtësi. Emri “tatuazh” mendohet se vjen nga fjala Samoane “tatau”. Tatuazhi është një formë e modifikimit të trupit ku një vizatim realizohet duke futur bojë, ngjyra dhe pigmente, të përhershme ose të përkohshme, në një nga shtresat e lëkurës (derma).

Kohë më parë tatuazhet nuk ishin kaq të përhapura sa sot.

Në disa shoqëri ato përdoreshin si mjet për “damkosjen” e kriminelëve dhe të burgosurve, diku tjeter për qëllime zbukurimi, ndërsa në disa shoqëri për të dalluar trashëgimtarin e fronit nga pjesa tjetër e njerëzve.

Sot, tatuazhet përdoren gjerësisht nga të rinjtë, por jo vetëm.

Cilat janë materialet që përdoren për të bërë tatuazhe?

Për të bërë tatuazhet në lashtësi është përdorur hiri ose bloza, të përzjera me vaj ose qumësht gjiri.

Tatuazhet në shoqërinë Samoane realizoheshin nëpërmjet materialit që mbetej nga djegia e qiririt. Materiali i përftuar përzihej me ujë ose sheqer dhe ishte gati për t’u përdorur.

Vite me vonë u shpik makineria e parë për realizimin e tatuazheve. Boja e përdorur në këtë periudhë ishte ose me origjinë minerale ose gjeologjike. Oxidet e hekurit dhe karboni përdoreshin për të përftuar bojën e zezë, kurse cinabari për të përftuar bojën e kuqe.

Në ditët e sotme përdoren pigmente me natyrë organike.

Për realizimin e tatuazheve përdoret një pajisje që ka një ose disa gjilpëra shpuese. Në momentin që realizohet tatuazhi mund të ndjeni dhimbje ose mund të rrjedhë gjak, pasi gjilpërat shpojnë lëkurën me qëllim që boja të depërtojë nën lëkurë.

Pajisje që përdoret per realizimin e tatuazheve

Cilat janë problematikat që mund të hasni pas realizimit të një tatuazhi të përhershëm?

Tatuazhi është një formë arti, një dizajn unik, i zgjedhur nga ju, për të qënë në një zonë specifike të trupit tuaj për gjithë jetën. Të bësh një tatuazh kërkon pak kohë dhe është shumë e thjeshtë. Ti thjesht shkon në një studio dhe profesionisti bën tatuazhin. Por në disa raste ndodhin dhe probleme. Le të përmendim disa prej tyre:

  1. Shfaqja e reaksioneve alergjike – zakonisht reaksionet alergjike shkaktohen nga ngjyruesit.
  2. Infeksione të lëkurës.
  3. Inflamacion rreth zonës ku është bërë tatuazhi.
  4. Sëmundje që transmetohen nëpërmjet gjakut – kjo ndodh kur pajisja që përdoret për të bërë tatuazhin është e kontaminuar me gjak të infektuar. Në këtë rast ekziston mundësia e marrjes së sëmundjeve si hepatiti B, hepatiti C , stafilokuku aureus etj.

Si ti shmangim këto probleme?

E rëndësishme është të zgjedhësh një studio që plotëson kriteret e higjienës.

Profesionisti i tatuazheve duhet të:

  • Lajë duart në mënyrë korrekte përpara proçedurës;
  • Përdorë doreza sterile dhe t’i ndërrojë vazhdimisht;
  • Ketë një autoklavë, e nevojshme për sterilizimin e pajisjeve;
  • Përdorë shiringa të ndryshme për çdo individ.

Përpara se të kryhet proçedura:

  • Mos pini aspirinë ose ibuprofen 24 orë përpara proçedurës
  • Vishni rroba të rehatshme
  • Dezinfektoni zonën ku do bëhet tatuazhi (nuk duhet të ketë qime)

Përkujdesja për tatuazhet

Pasi profesionisti bën tatuazhin, duhet të pastrojë zonën ku është bërë tatuazhi, të vendosë një shtresë të hollë vazeline dhe ta mbështjellë me një mbështjellëse plastike.

Mbështjellësja duhet të mbahet për disa orë. Përpara se të hiqni mbështjellësen mos harroni të lani duart. Lajeni tatuazhin me produktet e rekomanduara nga profesionisti ose më një sapun të butë që nuk përmban alkool. Thajeni me kujdes. Mos e fërkoni.

Nëse doni që tatuazhi juaj të shkëlqejë përdorni vaj kokosi.

Nëse keni kruarje ose pak irritim është normale. Përdorni një hidratues.

Shmangni ekspozimin në diell për rreth 2 javë pas realizimit së tatuazhit.

Shmangni notin.

Shmangni veshjen e rrobave të ngushta.

Konsultohuni me mjekun tuaj nëse:

  • Zona ku është bërë tatuazhi vazhdon të jetë e enjtur, dhe pse ka kaluar disa kohë nga bërja e tij.
  • Është krijuar qelb.
  • Tatuazhi juaj mban një erë të çuditshme.

Produkte për përkujdesjen ndaj tatuazheve

EasyTattoo Aftercare Healing Cream është formuluar specifikisht për të parandaluar irritimin dhe infektimin e zones, në të cilën është bërë tatuazhi. Përmban vitaminën B5, e njohur për efektin qetësues. Kremi ka veti hidratuese, qetësuese të irritimeve dhe mbrojtëse.

Bepanthen krem ose pomadë, është një produkt që përmban dekspantenol, i cili në kontakt me lëkurën shndërrohet në acid pantotenik. Ka veti qëtësuese dhe lë një ndjesi freskie në zonën ku aplikohet. Përdoret për trajtimin e lëkurës së irrituar dhe të “stresuar”.

EasyTattooPro Petroleum Jelly Monodose ka veti hidratuese dhe qetësuese. Mund të përdoret disa herë gjatë ditës në zonën ku është bërë tatuazhi, për të shmangur irritimin dhe infektimin e tij.