Si të zgjidhni ushqimin e duhur për fëmijën tuaj që nga lindja

Si të zgjidhni ushqimin e duhur për fëmijën tuaj që nga lindja

Ushqimi është një përvojë e dobishme dhe e kënaqshme, për lidhjen e prindit me foshnjën.
Ushqimi i parë për të porsalindurit është qumështi i gjirit. Ai është shumë ushqyes dhe ka një përmbajtje komplekse të dobishme, ku perveç të gjitha lëndëve ushqyese të nevojshme, përmban antitrupa, faktorë antimikrobikë, enzima dhe lëndë antiinflamatore. Ushqyerja me qumësht gjiri rrit dhe zhvillon fëmijët siç duhet dhe i ndihmon ata të luftojnë sëmundjet (si infeksionet gastrointestinale e të frymëmarrjes).
Deri në moshën 4-6 muajshe, foshnjat nuk mund të tresin shumicën e ushqimeve, prandaj ushqimi i tyre i vetëm në këtë periudhë është qumështi i gjjirit ose ai formulë.

Foshnjat janë të gatshme për ushqime të ngurta (solide) sapo dyfishojnë peshën e tyre të lindjes. Ky moment shoqërohet edhe me aftësinë e foshnjës për mbajtur lart kokën, për të qendruar ulur, për të për të gëlltitur dhe për të hapur më mirë gojën gjatë ushqimit.

Po si mund të realizohet përfshirja e ushqimeve të ngurta në dietën e fëmijëve tuaj? Si mund të jetë ky proçes sa më i lehtë dhe i shëndetshëm? Ja disa këshilla:

• Pas muajit të katërt
Fillimisht nisni prezantimin e ushqimeve të ngurta krahas qumështit të gjirit dhe jo si një zëvendësim për të. Qumështi i gjirit duhet të jetë pija kryesore për fëmijët gjatë vitit të parë të jetës.
Ushqimet e para duhet të jenë sa më të tretshme dhe të lëngshme.
Nisni me drithërat e thjeshta, të papërziera e veçanërisht me miellin e orizit. Mjekët pediatër sugjerojnë konsumin e miellit të orizit si ushqimin e parë solid për foshnjat, për arsye se përthithet dhe tolerohet mjaft mirë dhe shanset për alergji janë më të pakta.

• Pas muajit të gjashtë
Në këtë periudhë foshnjat janë gati për të provuar perimet dhe frutat në trajtë pureje.
Niseni fillimisht me perime si patatja normale dhe ajo e ëmbël, panxhari, kungulli dhe karrota.
Pas perimeve, vazhdoni me frutat. Jo më kot frutat janë përmendur të dytat. Nëse fruti është ushqimi i parë, fëmija mund të presë që çdo ushqim të ketë shije të ëmbël dhe të refuzojë në vazhdim ushqimet e tjera, sepse dihet që shijet e formuara në fillim të jetës mund të vazhdojnë edhe më vonë. Gjithashtu, foshnjat ende nuk kanë aftësinë për të tretur fruktozën në mënyrë efektive. Si fruta të para sugjerohen: banania, dardha, pjeshka dhe molla, në trajtë pureje.
Në një periudhë më të vonë, pas frutave dhe perimeve ë para fillojnë gradualisht edhe ushqime të tjera në sasi të vogël si drithërat, ushqimet proteinike (mishi i kuq, mishi i bardhë, veza) dhe produktet e bulmetit të pasterizuara (kos pa ëmbëlsues, djathë).

• Pas muajit të nëntë
Në muajt 6-9 e në vazhdim, foshnjat mësojnë të përtypin më mirë ushqimin prandaj mund t’i shtoni dietës së tyre produkte të veçanta si biskota pa sheqer, fasule, thjerrëza, bishtaja të gatuara mirë, të cilat foshnja juaj do t’i shijojë shumë.
Filloni duke ofruar sasi të vogla ushqimi dhe gradualisht rrisni sasinë, në mënyrë që në moshën 9-12 muaj fëmija të konsumojë 3 vakte të plota ushqimore, shoqëruar me porcione më të vogla ushqimi mes vakteve.

• Pas muajit të 12-të
Pas vitit të parë të jetës foshnja mund të konsumojnë ushqime më të komplikuara në përmbajtje, mjafton të jenë të lehta për t’u ngrënë dhe përthithur. Rekomandohet gradualisht kalimi nga puretë te ushqimet e copëtuara imët.

Disa ushqime që duhet të evitohen gjatë vitit të parë të jetës janë: sheqeri, kripa, frutat e thata (arra, bajame, lajthi etj), mjalti, qumështi i papasterizuar dhe nënproduktet e tij, disa lloje peshqish (peshkaqeni, peshku shpatë) dhe frutat e detit të papërpunuara.