Tel:+355 4 2340 339

[email protected]

Si të forcojmë imunitetin ndaj gripit?

Postuar në: January 20, 2020

Si mund të parandalojmë gripin?

Jeni duke kërkuar mënyra për të mos u prekur nga gripi?

Edhe pse mbrojtja e plotë nuk mund të garantohet, ne kemi disa sugjerime që mund të forcojnë imunitetin dhe t’ju mbrojnë nga sëmundjet gjatë stinës së ftohtë.

Gripi është një infeksion viral akut, që prek kryesisht traktin e sipërm respirator.

Megjithëse janë implikuar më shumë se 200 viruse, rinovirusët janë shkaktarët më të shpeshtë. Simptomat e gripit përfshijnë ethe, rrjedhje të hundëve dhe kongjestion, kollë dhe dhimbje të fytit. Këto simptoma zakonisht paraqiten 1 deri në 2 ditë pas ekspozimit ndaj virusit dhe zgjasin për 7 deri në 10 ditë, ndërkohë që disa simptoma tjë tjera vazhdojnë deri në 3 javë.

Disa grupe njerëzish janë në rrezik më të madh për të patur komplikime nga gripi. Këto grupe përfshijnë fëmijët e vegjël, gratë shtatzëna, të rritur mbi moshën 65 vjeç dhe personat që vuajnë nga sëmundje kronike.

Nëse nuk e mbani veten larg nga të gjithë dhe gjithçka, nuk ka një strategji të veçantë për të eleminuar plotësisht gripin. Ajo çka mund të bëni është të merrni masa për të minimizuar ekspozimin, për të fuqizuar imunitetin dhe për të zvogëluar rrezikun e infektimit.

Ne ju sugjerojmë hapat e mëposhtëm:

  • Vaksinohuni

Vaksina e gripit është një vaksinë që duhet të bëhet çdo vit dhe siguron mbrojtje nga disa viruse, që sipas studimeve, janë më të mundshmet të qarkullojnë në një sezon të caktuar.

Kur ju vaksinoheni, trupi juaj lëshon antitrupa që mund t’ju mbrojnë nga llojet më të zakonshme të virusit, duke forcuar imunitetin ndaj gripit. Efekti arrihet pas rreth 3 javë nga vaksinimi.

Megjithatë, kjo nuk do të thotë që nuk do të prekeni nga gripi, por edhe nëse do të zhvilloni simptomat e tij, ato do të jenë më të lehta dhe mundësia për komplikacione është më e ulët.

Është e këshillueshme që vaskinimi të bëhet deri në fund të tetorit, përpara se të nisë epidemia e gripit midis nëntorit dhe marsit, megjithatë nuk është tepër vonë për t’u vaksinuar edhe në muajt në vazhdim, sepse virusi mund të vazhdojë të përhapet deri në maj.

Vaksina nuk mund të administrohet nëse jeni prekur nga gripi, ndaj përpara vaksinimit rekomandohet një konsultë me mjekun e familjes.

  • Kushtojini më shumë vëmendje higjenës!

Ashtu si vaksinimi, praktikat e mira shëndetësore dhe shprehitë e higjenës mund të ndihmojnë në parandalimin e përhapjes së gripit. Gripi është jashtëzakonisht ngjitës, i aftë të përhapet nga një person në tjetrin, në një rreze prej 6 metrash, përmes spërklave të prodhuara nga kolla, teshtimat, e folura apo dhe prekja e sipërfaqeve të ndotura.

-Shmangni kontaktin e ngushtë me ata që janë të sëmurë ose persona të tjerë nëse jeni të sëmurë. -Nëse keni simptoma të ngjashme me gripin, qëndroni në shtëpi dhe rinisni aktivitetin normal të paktën 24 orë pasi temperatura e lartë të jetë zhdukur.
-Përdorni një facoletë për të mbuluar hundën dhe gojën kur teshtini dhe kolliteni. Hidhni facoletën menjëherë pas përdorimit.

-Lani rregullisht duart me sapun dhe ujë ose me një disifektant me bazë alkooli.
-Mundohuni të mos prekni sytë, hundën ose gojën pa larë më parë duart, për të siguruar që ato janë pa mikrobe.

-Pastroni dhe dezinfektoni sipërfaqet e përbashkëta, me të cilat jeni në kontakt në punë, shkollë ose shtëpi.

 
  •   Mos i kurseni vitaminat dhe mineralet!
 

Vitamina C (Acidi askorbik)

Vitamina C është një vitaminë e tretshme në ujë që ka një rol të rëndësishëm në procese të ndryshme fiziologjike, ndër të cilat edhe forcimi i imunitetit dhe trajtimi i ftohjes. Janë kryer një numër i konsiderueshëm studimesh klinike për të përcaktuar efektivitetin e trajtimit të vitaminës C në ftohjen e zakonshme dhe sipas tyre 500-1000 mg vitaminë C në ditë mund të zvogëlojë kohëzgjatjen e ftohjes nga 24 deri në 36 orë.

Vitamina D

Si një forcues imunitar natyral, vitamina D ndihmon në luftimin e infeksioneve akute të frymëmarrjes dhe studimet kanë treguar se marrja e një shtese javore ose ditore, mund të zvogëlojë rrezikun e marrjes së gripit. Këshillohet edhe marrja e vitaminës D me ushqime të yndyrshme për thithje më të mirë, siç janë: peshku (salmon, ton, sardele etj), veza, kërpudhat, bulmeti etj.

Zinku

Ky mineral thelbësor është i domosdoshëm për forcimin e sistemit imunitar. Bën një punë të mahnitshme jo vetëm për parandalimin e ftohjes dhe gripit, por gjithashtu shpejton kohën e rikuperimit, kur jeni duke u trajtuar nga  ftohja ose gripi. Zinku gjithashtu arrin të frenojë rikthimin e gripit nëse konsumohet rregullisht gjatë periudhës së rrezikut.

 
 
  •    Mos harroni suplementet me përmbajtje bimore!
 

Edhe pse në momente të tilla, ato çka ju japin më tepër besim për të luftuar gripin janë medikamentet, nuk duhet të neglizhoni suplementet përforcuese të sistemit imunitar me përmbajtje bimore. Në rastet e ftohjes dhe gripit, më efikase janë këto lloje:

 

Echinacea

Echinacea e marrë në formë të suplementeve në dozën e duhur, me të vërtetë mund të parandalojë ftohjen e zakonshme. Ajo është tepër efikase në parandalimin e gripit për të rriturit po ashtu dhe për fëmijët. Nëse vëreni simptomat e para të ftohjes, shtoni në dietën tuaj këtë përbërës në formë çaji, shurupi apo tabletash (të vetme ose të kombinuara ) për të rritur imunitetin.

 

Elderberry ose Sambucus nigra (Lule shtogu)

Elderbery zakonisht përdoret për trajtimin e simptomave që lidhen me gripin. Mendohet se ka veti antioksiduese dhe fuqizuese të imunitetit. Studimet tregojnë se konsumi i rregullt për tre ditë të një formulimi specifik me ekstrakt të lules së shtogut redukton simptomat e gripit me 56%.
Elderberry përmban vitaminat A, B dhe shumë vitaminë C. Të gjitha këto ndihmojnë për ta bërë atë një suplement shumë të fuqishëm për kollën, ftohjen dhe infeksionet virale. Në përgjithësi ky ekstrakt tolerohet mirë nga të rriturit dhe fëmijët.

Ginseng dhe xhinxher
Që të dyja janë vlerësuar për përdorimin e tyre në trajtimin e infeksioneve të rrugëve të sipërme të frymëmarrjes. Nëse konsumohen çdo ditë gjatë një periudhe prej 3 deri në 4 muaj gjatë sezonit të gripit, rreziku i shfaqjes së ftohjes ose gripit mund të ulet; kur infeksioni ndodh, ashpërsia e simptomave dhe kohëzgjatja zvogëlohen. Mund t’i konsumoni në formë caji të ngrohtë, tabletash apo dhe pluhuri.

Vaj eukalipti

Ky vaj natyral funksionon mirë në uljen e bllokimeve të gjoksit dhe simptoma të tjera të ftohjes dhe gripit. Është i shkëlqyer si anti-mykotik, anti-spazmatik, anti-septik dhe anti-bakterial. Ndihmon në shkëputjen e gëlbazës dhe largimin e saj nga rrugët e frymëmarrjes. Vaji i eukaliptit është gjithashtu i shkëlqyeshëm për dhimbjet e muskujve, nëse jeni duke u përpjekur të lehtësoni dhimbjet e muskujve nga gripi.

 
  • Pini sa më shumë lëngje!


Sigurohuni që të merrni shumë lëngje. Jo e gjithë sasia e lëngjeve që konsumoni duhet të jetë patjetër ujë; lëngjet e frutave, pijet sportive dhe supërat me bazë perimesh gjithashtu janë tepër të vlefshme. Ato mbajnë sistemin tuaj të frymëmarrjes të hidratuar dhe ndihmojnë në hollimin e sekrecioneve.