Multivitaminat gjatë shtatzënisë

Multivitaminat gjatë shtatzënisë

Rëndësia e ushqyerjes së duhur gjatë shtatzënisë nuk mund të anashkalohet. Një dietë e ekuilibruar ushqimore është mënyra më e mirë, për të marrë vlerat ushqyese të domosdoshme, por shtesat e vitaminave gjithashtu mund të jenë të dobishme.
Për shkak të ndryshime fiziologjike gjatë fazave të shtatzënisë dhe laktacionit, kërkesat e përditshme për shumë mikroelementë ushqyes janë më të larta. Për këtë arsye rekomandohet një kompleks vitaminash për nënat e ardhshme, për të siguruar plotësimin e nevojave me vlera ushqyese, thelbësore për të mundësuar një shtatzëni të shëndetshme dhe ardhjen në jetë të një fëmije të shëndetshëm.

Përbërësit e Vitaminave Prenatale

Vitamina A: Vitamina A përfshihet në rregullimin e shprehjes së gjeneve, rritjes dhe zhvillimit, prodhimit qelizor, vizionit dhe imunitetit. Format e vitaminës A, të njohura si retinoide janë esenciale për zhvillimin embrional dhe fetal, duke përfshirë formimin e syve, veshëve, gjymtyrëve dhe zemrës.
Kompleksi i vitaminave B: Vitaminat B, Thiamine (B1), Riboflavin (B2), Niacin (B3), Acid Pantotenik (B5), Biotin (B7), Piridoksinë (B6), Acid folik (B9) dhe Kobalamin (B12) janë disa prej vitaminave më të rëndësishme plotësuese gjatë shtatzënisë. Ndërsa të gjitha vitaminat B janë thelbësore, acidi folik ndodhet në krye të listës, për rolin e tij të rëndësishëm në krijimin e qelizave të kuqe të gjakut, proteinave dhe ADN-së. Përveçse luan një rol jetësor në zhvillimin e shëndetshëm të foshnjës, acid folik ndikon në parandalimin e defekteve të lindjes. Mungesat e vitaminave B kompleks gjatë shtatzënisë mund të shkaktojnë anomali të fetusit dhe efekte të ndryshme anësore tek nëna, duke përfshirë humbje të flokëve, anemi, probleme me tretjen, përgjigje më të ulët imune, dobësi dhe lodhje.
Vitamina C & E: vitamina C dhe vitamina E janë dy vitamina antioksiduese që luajnë një rol jetësor në prodhimin e kolagjenit, proteina strukturore që gjendet në kërce, kocka dhe lëkurë. Si antioksidantë, ato mbështesin një sistem imun të shëndetshëm dhe mbrojnë kundër dëmtimit oksidativ .
Vitamina D: Vitamina D njihet për rolin e saj të madh në shëndetin e kockave, por ajo luan ndikon edhe në parandalimin e sëmundjeve. Nivelet e vitaminës D ndikojnë në presionin e gjakut të grave shtatzëna, në gjendjen shpirtërore dhe në funksionimin e trurit.
Kalçiumi: Kalçiumi mbështet zhvillimin e kockave të foshnjës, forcon kockat e nënës dhe nuk lejon dëmtimin e tyre nga pesha gjatë shtatzënisë. Ai ndikon gjithashtu në funksionimin e sistemeve të qarkullimit të gjakut, nervor dhe muskulor.
Hekuri: Nevojat e organizmit për hekur rriten ndjeshëm gjatë shtatzënisë. Hekuri është i rëndësishëm për rritjen dhe zhvillimin e fetusit dhe placentës dhe plotëson kërkesën në rritje që kanë qelizat e kuqe të gjakut për oksigjen. Mungesa e hekurit është shkaku kryesor i anemisë gjatë shtatzënisë, ndaj dhe marrja e hekurit gjatë kësaj periudhe është vendimtare.
Jodi: Nevojitet një konsum i mjaftueshëm i jodit për prodhimin e hormoneve të tiroides. Gjëndra tiroide ndikon në mirëqenien e sistemit nervor qendror dhe zhvillimin e shëndetshëm të trurit të fetusit. Mungesa e jodit mund të çojë në prodhim joadekuat të hormoneve të tiroides gjatë shtatzënisë, gjë që mund të shkaktojë dëmtime të pashlyeshme të trurit, abort dhe defekte të lindjes.
Magnezi, natriumi dhe kaliumi: Elektrolitet mundësojnë hidratimin e organizmit, i cili është i nevojshëm për shumë funksione, përfshirë transmetimet e impulseve nervore dhe kontraktimet e muskujve. Magnezi, ndoshta elektroliti më i rëndësishëm për t’u plotësuar gjatë shtatzënisë, është i domosdoshëm për zhvillim të shëndetshëm dhe mbështet qarkullimin e mjaftueshëm të gjakut në tru.
Zinku: Mangësitë e zinkut janë të zakonshme në gratë shtatzëna, për shkak të rritjes së shpejtë të qelizave, ndaj marrja e sasisë së duhur është e domosdoshme. Mungesa e zinkut gjatë shtatzënisë shoqërohet me rezultate të pafavorshme, duke përfshirë lindje të parakohshme, komplikime gjatë lindjes dhe peshë të ulët të fetusit në lindje.
Choline Bitartrate: Në sasi të vogla kolina mund të sintetizohet nga trupi, por marrja dietetike është e nevojshme për një jetë të shëndetshme. Kolina është jetike për zhvillimin e trurit të embrionit dhe të fetusit, funksionit të shëndetshëm të mëlçisë dhe funksionit të placentës. Gjatë shtatzënisë dhe laktacionit, një nënë siguron sasi të mëdha të kolinës, për fetusin nëpërmjet placentës dhe për foshnjën nëpërmjet qumështit të gjirit.
Omega 3: Omega-3 është një acid yndyror esencial, i cili nuk mund të prodhohet nga trupi. Acidet yndyrore Omega-3 janë komponentë të rëndësishëm të membranave qelizore, duke përfshirë membranat e qelizave që formojnë syrin dhe sistemin nervor qendror. Sipas disa studimeve shkencore mendohet se, femrat që marrin shtojca të omega-3 lindin fëmijë me peshë më të madhe dhe më një rrezik më të ulët të ndërlikimeve gjatë shtatzënisë.

Përsa i përket dozave të rekomanduara, ja sa duhet të merrni nga secili element i lartpërmendur:

Vitaminë A & Beta Carotene (770 mcg deri në1000 mcg/ditë)
Vitaminë D (5 mcg/600 IU deri në 4000 IU/ditë)

Vitaminë E (15 mg/ditë)
Vitaminë C (80 – 85 mg deri në2000 mg/ditë)
Thiamin/B1 (1.4 mg/ditë)
Riboflavin/B2 (1.4 mg/ditë)
Niacin/B3 (18 mg deri në35 mg/ditë)
Pyridoxine/B6 (1.9 mg deri në100 mg/ditë)
Vitaminë B12 (2.6 mcg/ditë)
Acid Folik /Folate(400 – 800 mcg deri në1000 mcg/ditë)
Kalcium (1,000 – 1,300 mg/ditë)
Hekur (27 mg/ditë)
Proteina (71 g/ditë)
Zink (11 – 13 mg/ditë)
Jod (150μg-220μg/ditë)
Omega 3 (1,4 g/ditë)
Magnez(350-400 mg/ditë)
*Kujdes! Shtesat ushqimore nuk zëvendësojnë një dietë të shëndetshme, por mund të sigurojnë, që një person të marrë vitamina dhe minerale në sasi të mjaftueshme ditore.