Tel:+355 4 2340 339

[email protected]

Detox – ja si të pastroni organizmin nga toksinat

Postuar në: January 10, 2020

Detoksifikim  ose detox, në mënyrë tipike nënkupton ndjekjen e dietave specifike ose përdorimin e produkteve të veçanta që pastrojnë trupin nga toksinat, duke përmirësuar kështu shëndetin e duke ndihmuar në humbjen e peshës së tepërt. Ato shpesh përfshijnë përdorimin e laksativëve, diuretikëve, vitaminave, mineraleve, çajrave dhe ushqimeve të tjera që mendohet se kanë veti detoksuese. Megjithatë, dietat detoks rrallëherë identifikojnë toksinat specifike që synojnë të eleminojnë apo mekanizmin, me të cilin supozohet t’i eliminojnë këto të fundit.

Duhet të dini se trupi juaj ka një mënyrë të sofistikuar për të eleminuar toksinat. Ky proçes realizohet nëpërmjet mëlçisë, veshkave, sistemit të tretjes, lëkurës dhe mushkërive. Por vetëm kur këto organe janë të shëndetshëm, atëhere mund të eleminojnë në mënyrë efektive substancat e padëshiruara.



Më poshtë ju tregojmë disa mënyra se si të rrisni aftësitë detoksifikuese të organizmit tuaj.


1. Limitoni përdorimin e alkoolit!

Më shumë se 90% e alkoolit metabolizohet në mëlçi. Enzimat e saj shndërrojnë alkoolin në acetaldehid. Duke njohur acetaldehidin si toksinë, mëlçia e konverton atë në një substancë të padëmshme, e cila më vonë eliminohet nga organizmi. Konsumi i tepërt i alkoolit mund të dëmtojë rëndë funksionin e  mëlçisë, duke shkaktuar grumbullimin e yndyrnave, inflamacion e deri në dëmtime të rënda.

Kur kjo ndodh, mëlçia nuk mund të funksionojë siç duhet dhe nuk mund të kryejë detyrat e saj, përfshirë filtrimin e mbeturinave dhe toksinave të tjera.

Për këtë arsye, kufizimi ose eleminimi plotësisht i alkoolit nga përditshmëria juaj është një nga mënyrat më të mira për të mbajtur të fortë sistemin detoksifikues.

2. Kushtojini rëndësi gjumit!

Gjumi i duhur dhe cilësor çdo natë është domosdoshmëri për të mbështetur shëndetin dhe sistemin e detoksikimit natyror të trupit tuaj.

Një gjumë i mirë lejon trurin të riorganizohet dhe të heqë mbetjet toksike që janë grumbulluar gjatë gjithë ditës. Një nga këto mbetje është një proteinë e quajtur beta-amiloide, e cila nëse nuk eleminohet, mendohet se ndikon në zhvillimin e sëmundjes së Alzheimerit.
Nësë privohet nga gjumi, trupi juaj nuk ka kohë për të kryer funksionet sic duhet, kështu që toksinat mund të akumulohen dhe të ndikojnë në disa aspekte të shëndetit.

Gjumi i keq ka qenë gjithmonë i lidhur me pasoja shëndetësore afatshkurtra dhe afatgjata, të tilla si stresi, ankthi, presioni i lartë i gjakut, sëmundjet e zemrës, diabeti tipi 2 dhe mbipesha.

3. Ulni konsumimin e sheqerit dhe ushqimeve të përpunuara!

Konsumi i lartë i ushqimeve me sheqer dhe atyre të përpunuara lidhet  me mbipeshën dhe sëmundje të tjera kronike, siç janë sëmundjet e zemrës dhe diabeti. Këto sëmundje ndër të tjera, pengojnë aftësinë e trupit për të detoksikuar natyrshëm, duke dëmtuar organet që luajnë një rol të rëndësishëm, të tilla si mëlçia dhe veshkat. Mos harroni se konsumimi i lartë i pijeve me sheqer mund të shkaktojë mëlçi yndyrore, gjendje që ndikon negativisht në funksionimin e mëlçisë.

Këshillë

-Hani ushqime që përmbajnë squfur. Ushqimet e pasura me squfur si qepë, brokoli dhe hudhër, përmirësojnë ekskretimin e metaleve të rënda si kadmiumi.

-Provoni chlorella. Chlorella është një lloj alge që ka shumë përfitime ushqyese dhe sipas studimeve, mund të përmirësojë eliminimin e toksinave nga organizmi.

4. Pini sa më shumë ujë!

Uji bën shumë më tepër sesa shuan etjen. Ai rregullon temperaturën e trupit, lubrifikon nyjet, ndihmon tretjen dhe thithjen e lëndëve ushqyese si dhe detoksifikon trupin, duke hequr mbetjet e dëmshme.

Qelizat e organizmit duhet të riparohen vazhdimisht për të funksionuar në mënyrë optimale dhe të shpërbëjnë lëndë ushqyese për t’i përdorur si energji. Sidoqoftë, këto procese kanë mbetje në formën e uresë dhe dioksidit të karboni, të cilat shkaktojnë dëme nëse kalojnë në gjak. Uji transporton këto mbetje duke i eleminuar në mënyrë efikase përmes urinimit, frymëmarrjes ose djersitjes.

Pra, të qenurit të  hidratuar siç duhet është e rëndësishme për detoksifikimin e trupit.

5.Konsumoni  prebiotikë dhe suplemente me probiotikë!

Mirëqenia e  zorrëve është e rëndësishme për të patur një sistem funksional detoksifikimi. Qelizat e zorrëve kanë një sistem detoksifikimi dhe sekretimi, që mbron zorrët dhe trupin nga toksinat e dëmshme. Për këtë këshillohet përdorimi i prebiotikëve, disa lloje fibrash që shërbejnë si ushqim për  bakteret e mira në zorrë, të quajtur probiotikë. Me prebiotikët si ushqim, bakteret tuaja të mira janë në gjendje të prodhojnë ushqyes, të quajtur acide yndyrore me zinxhir të shkurtër, që janë të dobishëm për shëndetin. Nëse bakteret e mira nuk janë në sasinë e duhur, ky fenomen mund të dobësojë sistemin tuaj imunitar dhe detoksifikues, si dhe të rrisë rrezikun për inflamacion intestinal.
Nga ana tjetër, probiotikët nuk qendrojnë gjatë në zorrë në shumicën e rasteve. Për një proçes të mirë detoksifikimi duhet një florë bakteriale e shëndetshme. Puna e mëlçisë është e lidhur me zorrët, për të larguar sa më shumë toksina të jetë e mundur, në mënyrë që të mos ketë nevojë të punojë aq shumë. Pa një florë të shëndetshme të zorrëve, mëlçia do të bëjë punë dyfishe.

Konsumi i shtojcave probiotike mban florën e zorrëve të shëndetshme dhe të fortë. Kjo do ta lejojë atë të filtrojë shumë nga toksinat që gjenden në ajrin që thithim, ujin që pimë dhe ushqimin që hamë.

6. Konsumoni ushqime të pasura me antioksidantë!

Antioksidantët mbrojnë qelizat nga dëmtimi i shkaktuar nga molekulat e quajtura radikale të lira. Stresi oksidativ është një gjendje e shkaktuar nga prodhimi i tepërt i radikalëve të lirë.

Trupi ynë i prodhon natyrshëm këto molekula për proçeset qelizore. Sidoqoftë, alkooli, tymi i duhanit, një dietë e dobët dhe ekspozimi ndaj ndotësve mund të prodhojnë radikale të tepërta të lira.
Një diete e pasur me antioksidantë mund të ndihmojë trupin tuaj të luftojë stresin oksidativ, të shkaktuar nga radikalët e lirë dhe toksinat e tjera që rrisin rrezikun tuaj për sëmundje.
Shembuj të antioksidantë përfshijnë vitaminën A, vitaminën C, vitaminën E, selenin, likopenin, luteinën etj.

7. Bëhuni aktivë!

Ushtrohuni rregullisht  pavarësisht nga pesha e trupit . Ky veprim është i shoqëruar me një jetë më të gjatë dhe një rrezik më të ulët për t’u prekur nga shumë sëmundje, duke përfshirë diabetin e tipit 2, sëmundjet e zemrës, presionin e lartë të gjakut dhe kancerin.

Aktiviteti i rregullt fizik ul inflamacionin dhe lejon sistemin e detoksifikimit të trupit të funksionojë siç duhet.