Çfarë duhet të dini rreth Rosacea

Çfarë duhet të dini rreth Rosacea

Rosacea është një çrregullim i zakonshëm i lëkurës që prek kryesisht fytyrën. Shkakton skuqje në hundë, mjekër, faqe dhe ballë. Me kalimin e kohës, skuqja mund të bëhet më e fortë, duke marrë një pamje të kuqërremtë. Enët e gjakut mund të bëhen të dukshme. Në disa raste, rosacea shfaqet në gjoks, shpinë ose qafë. Këto shenja dhe simptoma mund të bëhen të dukshme për javë ose muaj dhe më pas të largohen për një farë kohe. Rosacea mund të ngatërrohet me aknet e inflamuara adulte, problem ky i lëkurave të maturuara. Kjo gjendje e lëkurës mund të prekë këdo, por është më e zakonshme tek gratë e moshës së mesme që kanë lëkurë të hollë. Rosacea nuk kurohet plotësisht por mund të mbahet nën kontroll dhe të zbehen shenjat e saj.

Shenjat dhe simptomat e Rosacea

Pamja e lëkurës me rosacea mund të ndryshojë shumë nga një individ tek tjetri. Shpesh, jo të gjitha shenjat dhe simptomat e mundshme shfaqen. Rosacea përfshin të paktën një nga shenjat parësore të listuara më poshtë, por shenja dhe simptoma të ndryshme sekondare mund të zhvillohen me kalimin e kohës.
Shenjat parësore dhe më të zakonshme të rosacea janë:
• Skuqje e theksuar
Shumë njerëz me rosacea kanë një histori të skuqjes së shpeshtë. Skuqja e fytyrës, e cila mund të vijë e të shkojë, shpesh është shenja më e hershme e kësaj gjendjeje.
• Skuqje e vazhdueshme
Skuqja e vazhdueshme e fytyrës mund të ngjajë me një skuqje ose djegie nga dielli që nuk largohet lehtë.
• Gunga dhe akne
Gunga të vogla të ngurta ose puçrra të mbushura me qelb shpesh zhvillohen në rastet e rosacea. Ndonjëherë gungat mund të ngjajnë me aknet e acaruara që ende nuk janë pjekur dhe pjesa e qelbit mungon.
• Enë të dukshme të gjakut
Enët e vogla të gjakut bëhen të dukshme në lëkurën e shumë njerëzve që kanë rosacea sidomos në zonën e hundës, mollëzave dhe mjekrës.

Shenjat dhe simptomat e tjera të mundshme, më të komplikuara përfshijnë:
• Acarim i syve
Sytë mund të irritohen dhe të shfaqin lotim të shpeshtuar dhe skuqje shumë të theksuar tek disa persona. Kjo gjendje, e quajtur rosacea okulare, gjithashtu mund të shkaktojë skuqje dhe enjtje të qepallave. Rastet e rënda, nëse nuk trajtohen, mund të rezultojnë në dëmtim të kornesë dhe humbje të shikimit.
• Djegie dhe ndjesi pickimi
Ndjesitë e djegies ose pickimit mund të ndodhin në fytyrën e një individi me rosacea të patrajtuar.
• Tharje e theksuar lëkure
Lëkura e fytyrës mund të jetë e ashpër, dhe kështu duket se është shumë më thatë për shkak se ajo humb elasticitetin karakteristik.
• Trashje e lëkurës dhe skuama
Në disa raste të rosacea, lëkura mund të trashet dhe të zmadhohet nga indet e tepërta, duke rezultuar në një gjendje të quajtur rhinophyma. Kjo gjendje shpesh ndodh në hundë, duke bërë që ajo të ketë një pamje bulboze. Nga ana tjetër, në disa raste mund të krijohen dhe skuama nëpër faqe.
• Enjtje
Enjtja e fytyrës mund të ndodhë në mënyrë të pavarur ose mund të shoqërojë shenja të tjera të rosacea.

Sa lloje rosacea ka dhe si t’i dallojmë?

Rosacea shkakton më tepër se një skuqje të thjeshtë të fytyrës. Ka shumë shenja të dukshme dhe simptoma (çfarë ndjen një person) të rosacea dhe për këtë arsye dermatologët kanë pëercaktuar 4 nëntipe të rosacea. Disa njerëz kanë më shumë se një nëntip në të njëjtën kohë dhe duhet të keni parasysh se cdo nënlloj kërkon trajtim të ndryshëm.

Nëntipi 1: Skuqje e fytyrës, enët e gjakut të dukshme
• Skuqje në qendër të fytyrës
• Enët e gjakut në fytyrë janë të dukshme (venat merimangë)
• Enjtje e shkallëve të ndryshme
• Lëkura mund të bëhet shumë e ndjeshme
• Lëkura mund të digjet më lehtë nga dielli
• Lëkura është më e thatë
• Personat që kanë rosacea të nëntipit 1 kanë jë prirje për të patur nxehtësi ose skuqje më lehtë se njerëzit e tjerë
Nënlloji 2: Shpërthimet e ngjashme me aknet në fytyrë
• Shpërthime në formë aknesh adulte, zakonisht aty ku lëkura është shumë e kuqe
• Shpërthime në formë aknesh që kanë tendencë të krijohen dhe të largohen shpesh
• Lëkurë e yndyrshme
• Lëkura mund të bëhët shumë e ndjeshme
• Lëkura mund të skuqet shumë shpesh dhe të ndizet
• Enët e gjakut të dukshme (venat merimangë)
• Pllakëz të ngritura në lëkure

Nëntipi 3: Lëkura e trashë
Ky nëntip është i rrallë. Kur ndodh, personi shpesh së pari ka shenja dhe simptoma të një nëntipi tjetër të rosacea. Shenjat e këtij nëntipi janë:
• Lëkurë me sipërfaqe jo të njëtrajtshme
• Lëkura fillon të trashet, veçanërisht në hundë.
• Shfaqen enët e gjakut të plasura dhe të dukshme
• Poret duken të mëdha
• Lëkura fillon yndyroset

Nëntip 4: Rosacea okulare
Ky nëntip prek pjesën e syve. Sytë mund të kenë një ose më shumë nga shenjat e mëposhtme:
• Përlotje
• Ndjehen të lodhur dhe kanë ndjesinë e pranisë së rërës në sy
• Sytë djegin ose kanë ndjesi pickimi
• Sytë janë shumë të thatë dhe kruhen
• Sytë bëhen më të ndjeshëm ndaj dritës
• Shikim i paqartë
• Enë të gjakut dukshëm të dëmtuara
• Kist në qepallë

Cfarë e shkakton rosacea?

Dermatologët kanë gjetur disa të dhëna të rëndësishme përsa i përket shkaqeve të rosacea.
-Shkaqe gjenetike
Rosacea është gjendje e lëkurës që mund të pasohet ndër brezat e familjes. Shumë njerëz që kanë rosacea kanë patur anëtarët e familjes me të njejtën gjendje të lëkurës.
-Sistemi i dobët imunitar
Sistemi imunitar mund të luajë rol në shfaqjen e rosacea. Është vërtetuar se shumica e njerëzve me rosacea të ngjashme me aknet reagojnë ndaj një bakteri të quajtur bacillus oleronius. Ky reagim bën që sistemi i tyre imunitar të dobësohet dhe kështu të shfaqet rosacea.
-Prania e shtuar e Demodex
Një merimangë mikroskopike që jeton në lëkurën e të gjithëve, Demodex, mund të jetë shkaktare për rosacea. Demodex parapëlqen të jetojë në hundë dhe faqe, prandaj kjo është zona ku shfaqet më shpesh rosacea. Shumë studime kanë zbuluar se personat me rosacea kanë një mbipopullim të kësaj merimange në lëkurën e tyre.
-Shtimi i Katelicidinës
Një proteinë që mbron normalisht lëkurën nga infeksioni, katelicidina, mund të shkaktojë skuqje dhe enjtje. Mënyra se si e përpunon trupi këtë proteinë mund të përcaktojë praninë dhe shkallën e rosaceas tek individët.
-Faktorë të jashtëm
Mungesa e mbrojtjes nga dielli, uji shumë i nxehtë, ushqimi shumë i nxehtë dhe pikant, temperatura e lartë, përdorime të produkteve të gabuara dhe shumë agresive për lëkurën etj., mund të jenë shkaktarë të nëntipit të parë të rosaceas.

Si mund ta mbani nën kontroll rosacean?

Nuk ka një trajtim të përhershëm për rosacea. Qëllimi kryesor i mirëmbajtjes është të kontrollojë skuqjen, inflamacionin dhe shpërthimet e saj në lëkurë.
Çelësi për mbajtjen nën kontroll të rosaceas është shmangia e faktorëve që bëjnë të skuqet lëkura. Këtu përfshihet dhe ekspozimi në diell, moti shumë i nxehtë ose shumë të ftohtë, alkooli, ushqimet shumë të nxehta, ushqimet pikante, stërvitja intensive dhe stresi. Përveç këtyre, menopauza dhe disa medikamente mund të shkaktojnë rosacea.
Kujdesi i duhur i lëkurës gjithashtu mund t’ju ndihmojë. Përdorni pastrues shumë të butë të lëkurës, produkte dermokozmetike dhe hidratues me cilësi të lartë, specifikë për lëkurën me rosacea dhe pa vaj, për të ndihmuar në parandalimin e acarimit. Gjithashtu, përdorni një mbrojtës dielli me mbulim të spektrit të gjerë (SPF 50 për mbrojtje nga UVB dhe oksid zinku, dioksid titaniumi ose avobenzone për mbrojtjen UVA), për të ndihmuar në parandalimin e simptomave të shkaktuara nga rrezet e diellit.
Mund të përdorni edhe trajtime lokale përveç produkteve dermokozmetike. Këto ndihmojnë në uljen e inflamacionit dhe skuqjes dhe aplikohen në lëkurë një ose dy herë në ditë. Ato zakonisht përdoren në kombinim me disa medikamente në rrugë orale.
Nëse këto masa nuk janë të mjaftueshme, trajtimi afatgjatë me antibiotikë oralë (për arsye se antibiotikët oralë mund të japin efekt më të shpejtë se ata lokalë) si eritromicinë, metronidazol, tetraciklinë, doksiciklinë dhe minociklinë ka treguar se është efikas për të kontrolluar shpërthime në lëkurë dhe frenimin e përparimit të rosacea.
Ka raste kur dermatologët mund të përshkruajnë përdorimin e isotretinoinës, medikament oral që përdoret ndonjëherë për raste të rënda të rosacea inflamatore, nëse trajtimet e tjera nuk kanë funksionuar. Isotretinoina është një medikament i fuqishëm që pengon prodhimin e sebumit nga gjëndrat dhjamore. Meqenëse efektet anësore mund të jenë të rënda, pacienti duhet të monitorohet nga afër.
Përsa i përket rosaceas okulare mund të këshillohet përdorimi i pikave për sy me përmbajtje steroide. Pikat për sy aplikohen çdo ditë për 3 ditë deri në 1 javë, e ndjekur nga një pushim ose përdorim më i reduktuar. Në shumicën e rasteve, duhen disa muaj për t’u shfaqur rezultatet, kështu që kërkohet durim.
Për shkak se nuk ka shërim për rosacea, trajtimi me medikamente pa recetë shpesh të kërkojë muaj, deri edhe vite për të kontrolluar simptomat.