Tel:+355 4 2340 339

[email protected]

Aromaterapia…ke dëgjuar për të?

Postuar në: November 3, 2021

Si lindi aromaterapia?

Aromaterapia dhe historia e saj nisin shekuj më parë. Fise të ndryshme, qytetërime të ndryshme njihnin fenomenin e aromaterapisë dhe njohuritë dhe gjetjet e tyre gjejnë përdorim dhe sot. Bimët janë përdorur për kryerjen e ritualeve të ndryshme, në mjekësi, në parfumeri etj. Vetitë dhe karakteristikat e tyre në fillim u zbuluan rastësisht, më pas duke vëzhguar reagimin e kafshëve në situata të ndryshme kundrejt bimëve të ndryshme dhe në fund duke studiuar dhe njohur vetitë e tyre.

Fillimisht bimët digjeshin, dhe tymi i tyre prodhonte një efekt të ri, të pazakontë, por tepër të pëlqyeshëm. Hipokrati ka pohuar: “Që të jeni të shëndetshëm duhet një banjë dhe një masazh aromatik çdo ditë” ….dhe kishte shumë të drejtë.

Në Romën e lashtë, bimët aromatike nuk përdoreshin vetëm për qëllime mjekësore, por dhe për higjienë dhe preparate kozmetike.

Në ditët e sotme aromaterapia është një ndër format më të njohura dhe të përdorura të mjekësisë alternative.

Çfarë është aromaterapia?

Aromaterapia nënkupton përdorimin e ekstrakteve të bimëve aromatike dhe vajrave esencialë për qëllime kozmetike ose mjekësore. Ajo është një trajtim që përdor ekstraktet natyrale bimore për të promovuar shëndetin e përgjithshëm, duke ndikuar pozitivisht në mirëqenien e mendjes, trupit dhe shpirtit.

Aromaterapia aktivizon zona të caktuara në hundë (receptorët e nuhatjes), të cilët çojnë mesazhe në sistemin nervor, dhe në këtë mënyrë arrihen veprimet e saj në organizëm, në varësi të vajit esencial të përdorur.

Vajrat esenciale mund të përdoren me pajisje specifike për aromaterapi (difuzorë) ose mund të aplikohen direkt në lëkurë apo pjesë të tjera të trupit. Secili nga vajrat esencialë ka karakteristikat e tij unike. Në disa raste kombinimi i vajrave esenciale ka më shumë efekte sesa përdorimi i vetëm njërit prej tyre.

Aromaterapina mendohet se ndikon pozitivisht në:

  • pakësimin e stresit, ankthit dhe depresionit;
  • relaksimin e organizmit;
  • luftën kundër baktereve;
  • qetësimin e dhimbjeve;
  • përmirësimin e cilësisë së jetës tek personat që vuajnë nga demenca;
  • përmirësimin e cilësisë së gjumit;
  • trajtimin emigrenës dhe dhimbjes së kokës;
  • përmirësimin e tretjes;
  • rritjen e mbrojtjes imunitare.

Çfarë janë vajrat esencialë

Vajrat esencialë përftohen nga lulet, gjethet, petalet; pra pjesë të bimës që i japin asaj aromën, parfumin ose e thënë ndryshe esencën. Kur esenca “nxirret” nga bima përftohet vaji esencial.

Vajrat esencialë nëse përdoren me kujdes dhe në mënyrë korrekte nuk shkaktojnë efekte negative në organizëm. Por përpara se të përdorni një vaj esencial mbani parasysh:

  1. Mos aplikoni vajin esencial direkt në lëkurë.
  2. Përpara se të përdorni vajin esencial hollojeni atë me një vaj tjetër.
  3. Bëni një test alergjie në lëkurë përpara se të përdorni vajin esencial.
  4. Shmangni ekspozimin në diell.
  5. Mos i gëlltisni vajrat esenciale.

Le të përmendim disa vajra esenciale dhe vetitë e tyre:

vajrat esenciale -aromaterapia
  1. Ylang-Ylang është një bimë që gjendet në rajonet tropikale në Filipine, Indonezi, Polinezi etj. Vaji esencial përftohet nga ekstraktimi me metodën e distilimit me avuj, i luleve të bimës. Vaji esencial njihet për vetitë e tij kurative dhe kozmetike. Mund të përdoret si sedativ, antidepresant, afrodiziak, antiseptik, antispazmodik, qetësues për dhimbjen etj.
  • Vaji esencial i livandos është një ndër vajrat esenciale më të përdorur në aromaterapi. Promovon gjendje relaksi, ndihmon në trajtimin e ankthit, infeksioneve mykotike, alergjive, depresionit, pagjumësisë, ekzemës, të përzjerave dhe dhimbjeve menstruale. Vaji i lavandës është një vaj multi-funksional. Nuk duhet kurrsesi të gëlltitet ose të përdoret nga personat që kanë alergji prej tij.
  • Vaji esencial i mentes nxirret nga gjethet e bimës së mentes dhe përdoret në rastet e dispepsisë, çrregullimeve të tretjes, si parfum në sapune dhe produkte të tjera kozmetike, për trajtimin e rrufës dhe kollës, si qetësues për dhimbjen dhe për pakësimin e stresit. Në disa raste kremrat, xhelet apo dhe formulime të tjera me vajin esencial të mentes mund të përdoren për të trajtuar problemet e femrave në zonën e gjoksit gjatë gjidhënies. Tregoni shumë kujdes në këto raste, Vaji esencial i mentes nuk duhet të aplikohet në fytyrën e bebit apo fëmijës dhe as të inhalohet prej tyre, pasi mund të ndikojë negativisht në frymëmarrje.
  • Vaji esencial i karafilit përftohet nga bima e karafilit, një bimë aziatike, nëpërmjet distilimit të luleve të thara të bimës. Ka efekt antimikrobial, qetësues për dhimbjen, ndikon pozitisht në problemet me rrugët e frymëmarrjes si psh astmë ose kollë. I aplikuar në lëkurë vaji i karafilit qetëson kruarjen, irritimin dhe përshpejton shërimin e plagëve. Përdoreni vajin e karafilit në lëkurë vetëm pasi e keni holluar paraprakisht.
  • Vaji esencial i limonit ekstraktohet nga lëkura e limonit të freskët nëpërmjet distilimit me avuj ose presimit në të ftohtë. Mund të përdoret në lëkurë (i holluar) ose mund të përdoret nëpërmjet një difuzori dhe të inhalohet. Ndër vite është provuar që vaji i limonit lufton bakteret, pakëson inflamacionin dhe ndihmon në luftën kundër depresionit.
  • Vaji esencial i xhinxherit përftohet nëpërmjet distilimit të rrënjëve të xhinxherit. Përdoret për trajtimin e të përzjerave, për uljen e inflamacionit dhe uljen e kolesterolit.

Kliko këtu për disa nga vajrat esencialë që mund të gjesh në Farmaci DAJA.

Çfarë është distilimi?

Distilimi është një proçes delikat që ka për qëllim të ekstraktojë esencën e bimës në formën e saj më të pastër. Distilimi me avuj uji konsiston në kalimin e avullit në një enë ku janë vendosur pjesët e bimës nga të cilat do përftohet esenca (lulet, farat, rrënjët etj). Në fund avulli i pasur me vajra esenciale kalon në një dhomë ku janë të pranishme disa spirale dhe kondesohet. Vaji esencial dhe uji mblidhen në një enë dhe densiteti i ndryshëm e bën të qartë dallimin midis tyre.

Aromaterapia dhe astma

Astma është një sëmundje kronike, që ka një ndikim negativ në proçesin e frymëmarrjes. Nuk ka kurë për astmën, por mund të parandalohetduke shmangur faktorin që e shkakton atë ose mund të trajtohen simptomat.

Tek disa njerëz aromaterapia është një ndër shkaktarët e astmës, te disa të tjerë ndihmon në lehtësimin e simptomave.

Vajrat esenciale nuk duhet të përdoren në momentin e krizës astmatike dhe as si zëvëndësues të medikamenteve.

Vajrat esenciale mund të përdoren midis krizave astmatike, për të përmirësuar frymëmarrjen. Vaji esencial i eukaliptit, vaji esencial i rozmarinës, vaji esencial i livandos, vaji i karafilit përmirësojnë gjendjen e njerëzve astmatikë.

Bibliografia:

https://pubmed.ncbi.nlm.nih.gov/30039757/

https://www.webmd.com/balance/stress-management/aromatherapy-overview

https://www.medicalnewstoday.com/articles/326732

https://www.healthline.com/health/clove-essential-oil