Tel:+355 4 2340 339

[email protected]

9 mënyra si të forconi shëndetin e fëmijës suaj

Postuar në: March 20, 2019

A jeni gjithmonë të shqetësuar kur shikoni se fëmija juaj ka rrufë apo kollitet? A mendoni shpeshherë se imuniteti i tyre është i dobët?

Një fëmijë sëmuret mesatarisht 6-8 herë në vit. Me siguri po mendoni se janë shumë netë me hundë të zëna, kollë të fortë dhe matje të vazhdueshme të temperaturës. Megjithatë për çdo gjë ka zgjidhje.
Po ndajmë me ju prindër, disa mënyra si të forconi shëndetin e fëmijës suaj.

1. Reduktoni sheqerin
E dini që konsumi i tepërt i sheqerit dëmton shëndetin dhe ngadalëson metabolizmin deri në 5 orë? Mendoni sa herë në ditë fëmijët konsumojnë sheqer. Nuk kalon asnjë vakt pa të, pasi ai ndodhet kudo, që tek drithërat e mëngjesit, buka, kosi i frutave madje dhe lëngjet e gatshme të frutave. Kur hamë sheqer, dëmtojmë sistemin imunitar, duke e lënë organizmin tonë të hapur ndaj sulmeve të baktereve dhe viruseve që shkaktojnë sëmundje.
Është e rëndësishme që fëmijët të mos konsumojnë sheqerna të tepërta, për të patur një imunitet të fortë, por dhe një shans më të vogël, për të vuajtur nga sëmundjet kardiovaskulare apo obeziteti në të ardhmen.
2. Bëni pjesë të rutinës së tyre aktivitetin fizik
Aktiviteti fizik jo vetëm që djeg kaloritë e tepërta, por forcon mushkëritë dhe ndihmon në pastrimin e sistemit limfatik, pjesë e rëndësishme e sistemit imunitar. Ai zhvillon trurin, forcon muskujt dhe i lejon fëmijët të djegin energji, duke bërë që gjatë natës ata të jenë më të qetë.
Çdo stinë është e përshtatshme për aktivitet fizik, nuk duhet të lini ditët e ftohta të dimrit të ndalojnë aktivitetin e fëmijëve tuaj. Çdo fëmijë duhet të jetë fizikisht aktiv për një jetë sa më të shëndetshme.
3. Përdorni probiotikët
Probiotikët janë baktere të gjalla, të cilësuara si “baktere të mira”, sidomos për sistemin tretës. Këto baktere ndihmojnë organizmin për të dalluar patogjenët dhe antigjenët, si dhe për t’u përgjigjur siç duhet në çdo rast. Përdorimi i probiotikëve ndihmon në zvogëlimin e alergjive, lehtëson simptomat e diarresë dhe ndikon pozitivisht në përmirësimin e tretjes, prandaj rekomandohet përdorimi i tyre në raste të tilla.
4. Mos harroni vitaminën D
Studime të shumta tregojnë se foshnjat dhe fëmijët janë më të ndjeshëm ndaj infeksioneve virale, në krahasim me ato bakteriale kur kanë mungesë të vitaminës D. Sidomos në periudhën e dimrit është e vështirë që fëmija juaj të marrë sasinë e mjaftueshme të vitaminës D nga dielli, prandaj trupi e prodhon me pakicë. Duke i shtuar dietës së fëmijës suaj vitaminën D, jo vetëm do t’i fuqizoni imunitetin, por do ta bëni më pak të predispozuar për sëmundjen e diabetit të tipit 1.
5. Mos e teproni më drithërat
Një pjesë e drithërave që fëmijët konsumojnë çdo ditë, shpesh shkaktojnë vështirësi për sistemin tretës dhe në disa raste edhe alergji. Është mirë që të jeni të vetëdijshëm sëbashku me fëmijët, për reagimin e organizmit pas konsumimit të drithërave. Duke reduktuar drithërat e dëmshme për organizmin, fëmijët tuaj do të kenë një jetë shumë më të shëndetshme.
6. Përdorni vajra esencialë
Vajrat esencialë ndikojnë pozitivisht në luftën ndaj infeksioneve dhe nxisin shërimin. Janë idealë për lehtësimin e simptomave të sëmundjeve dhe ndihmojnë në ndërtimin e sistemit imunitar. Përdorni vajin e lavandës dhe kamomilit për plagët e të vegjëlve tuaj, të djegurat dhe pagjumësinë (kompresa, masazh, spraj), vajin e eukaliptit për bronkitin dhe parazitët e kokës (kompresa, masazh, spraj), si dhe rigonit për dhimbjet e barkut (masazh).
*Vajrat esencialë janë shumë të përqendruar. Konsultohuni paraprakisht me mjekun pediatër në lidhje me përdorimin dhe dozimin tyre.
7. Mësojini te pijnë ujë sa duhet
Sa shpesh mendoni se pijnë ujë fëmijët tuaj? Uji është thelbësor për ruajtjen e shëndetit. Një gotë ujë çdo vakt është e rëndësishme për nivelin e duhur të hidratimit. Fëmijët janë në rritje dhe trupi i tyre duhet të jenë gjithmonë i hidratuar. Ndonjëherë ata harrojnë, ose janë tepër të zënë duke luajtur dhe nuk kujtohen të pijnë ujë, ndaj është detyra juaj t’ua rikujtoni këtë gjë. Uji përmirëson tretjen, parandalon konstipacionin dhe rregullon qarkullimin e gjakut.
8. Mësojini të flenë herët dhe në orar
Fëmijët që flenë 8 ose më shumë orë gjatë natës, janë më pak të predispozuar ndaj sëmundjeve virale, bëjnë më pak mungesa në shkollë dhë kanë rezultate më të mira. Vendosni një orar të përditshëm gjumi për femijën tuaj dhe mësojeni ta zbatojë atë. Fëmijët kanë nevojë për pushim që të fillojnë ditën plot energji. Gjumi i mirë është jetësor për zhvillimin dhe funksionimin e trurit të fëmijëve, madje ndihmon ata të jenë më të përqendruar gjatë ditës.
9. Flisni me ta për shëndetin sa herë të mundeni
Nuk duhen anashkaluar asnjëherë biseda rreth shëndetit me fëmijët tuaj. Ajo çka ju i thoni fëmijëve rreth shëndetit, ka nje impakt shumë të madh tek ata. Duke i mësuar ata të kujdesshëm me ushqimin dhe gjumin, i keni mësuar të kuptojnë rëndësinë e shëndetit. Flisni me ta dhe shpjegoni se ç’po ndodh me trupin e tyre. Është e rëndësishme që fëmijët të kuptojnë rreziqet shëndetësore. Duke patur njohuri rreth trupit dhe shëndetit, fëmijët priren të kujdesen më tepër për veten, të marrin medikamentet si duhet edhe nëse shija nuk është e pëlqyeshme.
Që në moshë të vogël ngrihen bazat e një jete të shëndetshme.