Tel:+355 4 2340 339

[email protected]

Zbokthi: Shkaqet dhe trajtimi

Postuar në: October 19, 2020

Zbokthi është një problematikë që prek kryesisht skalpin e kokës. Në momentin që një person ka zbokth është tepër e dukshme, pasi në skalp shfaqen disa “petëza” të bardha ose jeshile. Ka raste kur zbokthi nuk qëndron në skalp, por bie mbi supe. Nuk është i dëmshëm, por është i sikletshëm dhe ndonjëherë shoqërohet me kruarje. Ka disa lloje zbokthi, prandaj është e rëndësishme diagnostikimi përpara se të fillohet trajtimi.

Zbokthi i thatë është lloji më i shpeshtë i zbokthit. Shfaqet zakonisht në muajt e ftohtë të vitit. Gjatë kësaj periudhe moti është i ftohtë ndaj ne përdorim ujë të nxehtë për t’u larë dhe si rrjedhojë skalpi fillon të thahet dhe të krijohen “petëza”.

Zbokthi i yndyrshëm ndodh si pasojë e akumulimit të yndyrës në skalp. Yndyra e prodhuar nga gjëndrat përkatëse në skalp, së bashku me qelizat e vdekura të lëkurës formojnë “petëza” që shoqërohen dhe me kruarje.

Zbokthi me origjinë nga myku shkaktohet nga një myk i quajtur Malasezia, i cili gjendet në skalpin e të gjithëve ne. Myku prodhon acidin oleik, i cili bën që qelizat e lëkurës të ngjiten bashkë dhe të shkaktojnë zbokth.

Zbokthi i lidhur me sëmundje të tjera– Ndodh si pasojë e problematikave të tjera të lëkurës si: psoriaza dhe ekzema. Dermatiti seborroik është një ndër situatat më serioze. Shkakton irritim dhe kruarje të shumtë të skalpit. Shfaqet zakonisht në pjesën e pasme të kokës ose në qafë.

Çfarë e shkakton zbokthin?

Shkaktarët e zbokthit janë të shumtë. Përmendim:

  • Stresi- një ndër shkaktarët kryesorë të zbokthit tek disa persona;
  • Sëmundje të lëkurës si: psoriaza ose ekzema;
  • Mungesa e higjienës;
  • Përdorimi i ujit të nxehtë kur bëni dush;
  • Lëkura shumë e thatë ose e yndyrshme;
  • Myku i quajtur Malasezia;
  • Reaksionet alergjike;
  • Dieta e varfër ushqimore;
  • Alkooli ose duhanpirja.

Si të trajtoni zbokthin?

Trajtimi i zbokthit bëhet pasi është diagnostikuar lloji i tij. Mënyra më e mirë për të trajtuar zbokthin është nëpërmjet përdorimit të shampove dhe locioneve ose kremrave me përdorim lokal.

  1. Si fillim zgjidhni një shampo normale kundër zbokthit. Nëse nuk shihni asnjë rezultat atëherë kërkoni për një shampo që përmban: pirition zinku, acid salicilik, sulfid seleniumi ose qymyr. Përdorini me kujdes produktet që përmbajnë qymyr pasi mund të shkaktojnë ndryshim në ngjyrën e flokëve tuaj.

Nëse zbokthi shkaktohet nga myku Malasezia përdorni një shampo që përmban substanca antimykotike si psh ketokonazol. Shampoja duhet të përdoret për rreth një muaj përpara se të shihni rezultate dhe të vendosni nëse është e duhura për ju apo jo.

  1. Kur skapi është i thatë është e rëndësishme të rikthehet gjëndja e hidratuar e tij. Përdorni kremëra ose locione me veti ushqyese dhe hidratuese.
  2. Në rastet e zbokthit të yndyrshëm rekomandohet të lani flokët sa më shpesh. Mos e fërkoni shumë kokën gjatë larjes. Shmangni përdorimin e produkteve stiluese me bazë vajore që mund të jeni duke përdorur.
  3. Shmangni stresin dhe situatat që u shkaktojnë stress.
  4. Nëse produktet e mësipërme nuk shkaktojnë përmirësim të situatës, atëherë dermatologu mund të përshkruajë një kortizonik për përdorim lokal. Ai pakëson kruarjen dhe përmirëson situatën në vetëm pak ditë. Në raste më të rënda mund të lindë nevoja e përdorimit të medikamenteve orale.

Më poshtë sugjerime të disa produkteve të cilët mund të përdoren për të trajtuar zbokthin.

  1. Ducray Anti-dandruff shampoo for dry hair (shampoo kundër zbokthit të thatë e markës Ducray)
  1. Ducray anti-dandruff shampoo for oily scalp (shampoo kundër zbokthit të yndyrshëm e markës Ducray)
  1. Ducray Kelual DS anti-dandruff shampoo for itching scalp (shampoo për skalp të irrituar Ducray)
  1. Froika climbazole anti-dandruff shampoo është një shampo që përdoret në rastet e zbokthit të vazhdueshëm, me shumë “petëza” që kruhen.

Si të trajtoni zbokthin në kushte shtëpie?

  • Uthulla e mollës mund të jetë shumë efikase në trajtimin e zbokthit nëse përdoret ashtu siç duhet. Përzjeni në një enë sasi të barabarta uthull molle me ujë. Lani flokët tuaj si normalisht dhe më pas aplikoni përzjerjen e uthullës me ujin në flokë të njomë. Masazhojeni lehtësisht për pak minuta dhe lejeni për 15 minuta në gjendje qetësie. Shpëlajeni me ujë të bollshëm. Duhet të përdoret çdo dy ditë.
  • Përdorni vajin e kokosit me limon: do i mbajë flokët tuaj të hidratuar.

Merrni 2 lugë gjelle me vaj kokosi dhe përzjejini me 2 lugë gjelle lëng limoni. Aplikojeni përzjerjen në skalp me masazh të lehtë. Lëreni në kontakt me skalpin për rreth 20 minuta dhe më pas shpëlajeni me ujë të bollshëm.

  • Përdorni lëvoren e portokallit.

Merrni lëvoren e portokallit dhe hidhini sipër lëng limoni. Vendoseni në një blender dhe përzjejeni derisa të bëhet në formën e një paste. Aplikojeni pastën në skalp dhe lereni të thahet për 30 minuta.

  • Çaji jeshil njihet për vetitë e tij antioksiduese dhe antimykotike.

Vendosni 2 bustina çaji në një gotë me ujë të ngrohtë dhe lerini aty për 20 minuta. Në momentin që është ftohur aplikojeni në skalp dhe e lini për 30 minuta. Shpëlajeni me ujë të bollshëm.

  • Aloe Vera dhe vaji tea tree gjithashtu kanë dhënë rezultat në trajtimin e zbokthit.