Medikamentet e nevojshme gjatë pushimeve

Medikamentet e nevojshme gjatë pushimeve

Pushimet po afrojnë dhe po përgatiteni të udhëtoni drejt destinacionit tuaj veror?

Ndoshta po pyesni se çfarë ilaçesh të vendosni në valixhe, për të përballuar si duhet situata të ndryshme mjekësore, pa prishur pushimet tuaja.

Ja çka ju propozojmë, për të udhëtuar të sigurt dhe për të kuruar patologjitë më të shpeshta gjatë pushimeve:

Për dhimbje & temperaturë –medikamente të nevojshme për trajtimin e dhimbjeve (muskulare, të kokës, të dhëmbit etj) dhe uljen e temperaturës, nje fenomen i shpeshtë në verë, si pasojë e infeksioneve apo virozave, por edhe qëndrimit të gjatë në diell. (Paracetamol, Aspirinë, Ibuprofen, Ketoprofen etj.) Një termometër është gjithashtu i domosdoshëm.

Kundër alergjisë -sigurohuni që në çantën tuaj, të mos mungojë një preparat kortizonik, në formë injeksioni (Ultracorten) për trajtimin e gjendjeve emergjente alergjike (nga ushqimi, pickimet e insekteve, dielli) ose një antihistaminik oral (antialergjik) (Incidal, Flonidan, Zyrtec, Xyzal etj) për shfaqjet më të lehta të alergjisë.

Kundër diarresë & të vjellave –për ndalimin e diarresë (Loperamid); fermente laktike për rregullimin e florës intestinale, që në këto raste kompromentohet (Enterogermina, Yovita, Fermental, etj); elektrolite, për zëvendësimin e lëngjeve dhe kriprave të humbura dhe evitimin e dehidratimit (Trisol, Hydramin, Idrata etj) dhe suplemente me vitamina dhe esktrakt xhenxhefili për nauze e të vjella (Vomix, Plasigen B6, Dosil plus etj).

Mbrojtja ndaj pickimit të insekteve- mos harroni kremin mbrojtës ndaj insekteve, aq të bezdishëm në verë, si dhe stikun për pas pickimit, ose një krem antihistaminik që qetëson kruarjen, skuqjen & enjten e plagës.

Kundër dhimbjes së veshit- banja në det apo pishinë sjell shpesh irritim apo infeksion të veshit, që shoqërohet me dhimbje. Merrni me vete në valixhen tuaj tapat mbrojtëse të veshit dhe një solucion, për qetësimin e dhimbjes së veshit (Otipax, Otodolor etj).

Plagë & trauma – për dezinfektimin dhe mjekimin e plagëve të nevojshme janë: garza sterile, pambuk hemostatik (për ndalimin e hemorragjisë), një solucion dezinfektues, ankerplast, leukoplast dhe bende elastike.

Mbrojtja nga dielli – pushime në plazh apo pushime malore, në çdo rast duhet të jeni të mbrojtur nga rrezet e dëmshme të diellit. Zgjidhni kremin e përshtatshëm për lëkurën tuaj dhe aplikojeni rregullisht çdo dy orë, gjatë ekspozimit direkt në diell. Ju sugjerojmë mbrojtje maksimale (SPF 50+) për fytyrën dhe ditët e para të ekspozimit dhe mbrojtje mesatare (SPF 20-30) për trupin. Mos harroni edhe kremin për pas diellit, i rëndësishëm për qetësim të skuqjeve të lehta dhe hidratim të lëkurës.

Nëse do të udhëtoni në familje, me femijë apo foshnja, kujdesi duhet të jetë më i madh. Zgjidhni medikamentet e përshtatshme për moshën e tyre (këshillohuni me farmacistin tuaj) dhe sigurohuni të ruani në kushtet e duhura, produktet në formë shurupi apo supostet për fëmijë.

Të sëmurët kronikë duhet të kujdesen të kenë me vete medikamentet e përditshme, në sasi të mjaftueshme për të gjithë periudhën e pushimeve.

Përsa i përket produkteve kozmetike, duke qënë se ekspozimi në diell dhe larja e shpeshtë dëmtojnë lëkurën dhe flokët, për një përkujdesje të mirë gjatë plazhit, ju sugjerojmë të vendosni në valixhen tuaj edhe:

  • Krem ose serum hidratues për fytyrën –parandaloni tharjen e lëkurës dhe ruani nivelin e duhur të hidratimit;
  • Ujë termal – spruconi ujin termal në fytyrë dhe trup gjatë gjithë ditës për freski dhe hidratim maksimal;
  • Mbrojtës ndaj diellit, klorit dhe kripës për flokët- në formë locioni ose shampo, për të mbrojtur flokët nga faktorët e dëmshëm të lartpërmendur;
  • Zbutës për buzët me faktor mbrojtës – buzët dëmtohen njëlloj si lëkura nga ekspozimi në diell, ndaj mos harroni të aplikoni një zbutës apo buzëkuq me SPF, për mbrojtjen e tyre.

Këto janë disa nga produktet e nevojshme për t’u nisur të qetë dhe për të pasur zgjidhje, për rastet më të shpeshta të problemeve shëndetësore gjatë pushimeve.

Farmaci Daja ju uron:

Rrugë të mbarë & pushime të këndshme! 🙂